Deklarimi i listepagesave per biznesin
Deklarimi i listëpagesave për biznesin është shtyrë deri më datën 31 dhjetor të këtij viti. Drejtoria e tatimeve bën me dije se nisur nga problemet e evidentuara dhe të grumbulluara gjatë periudhës nga fillimi i vitit, si dhe nga veshtirësia që kanë hasur një numër i madh subjektesh gjatë deklarimit nëpërmjet formës elektronike të të dhënave të listëpagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe e të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, afati për nisjen e deklarimit elektronik të listëpagesave të bizneseve është shtyrë deri në ditën e fundit të muajit dhjetor. Sipas Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve afati ishte deri më 20 korrik, por derisa të vihet në eficencë të plotë sistemi elektronik, nga të gjitha subjektet e biznesit do të pranohen të dy variantet, si ai manual ashtu edhe ai elektronik. Shtyrja e afatit do tu vijë në ndihmë bizneseve për tu njohur më mirë me procedurat online, të cilat do të lehtësojnë punën e tyre duke shmangur burokracitë dhe duke ulur njëkohësisht fluksin në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve. Deri tani për shkaqe vonese të deklarimit elektronik nga ana e bizneseve për listën e kontributeve nuk janë aplikuar gjoba nga drejtoria e tatimeve, por duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm për çdo vonesë do të ketë sanksione. Jenë rreth 120 mije biznese në të gjithë Shqipërinë që do t’i nënshtrohen deklarimit elektronik të tatimeve dhe kontributeve.