E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia shqiptare nuk po furnizohet me hua

Ekonomia shqiptare nuk po furnizohet me hua. Ky është i treti muaj përgjatë gjashtë mujorit të parë 2012 kur shënohet tkurrje e huasë për ekonominë. Ritmet e rritjes së huasë për 6 mujorin janë 2.5 herë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Vetëm pak ditë më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në nivelin minimum historik prej 4%, duke shprehur hapur shqetësim për situatën ekonomike në vend dhe sidomos mos furnizimin e saj me kredi.
Ndërkaq, sipas ekspertëve ulja e normës bazë është e duhura në këtë përiudhë, megjithëse reduktimi do të ishte më i efektshëm në se do të ndodhte më i lartë në vlerë dhe në mënyrë të menjëhershme.
Sipas statistikave të BSH-së, stoku i kredisë në fund të qershorit ra me 612 milionë lekë, apo 0.1%,kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së huasë në valutë për korporatat e tjera jo financiare dhe për sektorë të tjerë rezidentë. Në total huaja në valutë u reduktua me 2.9 miliardë lekë me bazë mujore në qershor. Ndonëse kredia në lekë shënoi një rritje të kënaqshme prej 2.7 miliardë lekë, ajo nuk arriti që të neutralizonte rënien e huasë në valutë.
Shtimi i kredive me probleme, frenimi i investimeve nga biznesi tkurrja e konsumit janë disa nga arsyet kryesore të ngadalësimit të huadhënies. Në gjysmën e parë të vitit, negativisht ndikoi dhe frenimi i kredidhënies nga bankat perëndimore, në përputhje të direktivave të bankës mëmë. Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të nxitur kredidhënien në lekë, përmes lehtësimit të politikës monetare, nuk kanë dhënë efektin e duhur, teksa interesat e kredive në lekë vijojnë të mbeten të larta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›