“Deklarimi i pasurisë, vuvuzelat e kryetarit të PS-së spekulojnë, kam respektuar ligjin”
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, përgënjeshtron artikujt e fletushkës së kontrolluar nga Edi Rama
Deputetja e Partisë Demokratike për Qarkun Durrës, Albana Vokshi hodhi poshtë dje akuzat e botuara në një të përditshme shqiptare, e njohur si trampolinë e interesave të kryetarit të Partisë Socialiste. Duke iu referuar dy artikujve radhazi për mos deklarim të pasurisë, deputetja Vokshi garanton se ka respektuar me përpikmëri ligjin “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe disa Nëpunësve Publikë”.
“Deklaroj, në përgjegjësinë time të plotë, që asnjë germë, asnjë fjalë në ligjet nr. 9049, datë 10.0 4. 2003 ‘Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe disa Nëpunësve Publikë’, me ndryshime, të ligjit nr. 9367, datë 07. 04. 2005 ‘Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike’, me ndryshime, që e bën biznesmenin Arjan Tartari, subjekt që mbart detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, që çdo deklarim i pasurisë sime, që nga viti 2006 e deri më sot është bërë në respektim të plotë të ligjit”, u shpreh deputetja demokratike.
Ajo kërkoi nga ILDKP, të sqarojë të gjitha pretendimet e ngritura në lidhje me deklarimin e pasurisë.
“Kjo do të vërtetonte plotësisht që ju shpifni e vetëm shpifni. Kërkoj një përgënjeshtrim publik dhe ndjesë publike nga hartuesit e shpifjeve për dëmin moral që më keni shkaktuar mua personalisht dhe familjarëve të mi. Jam e sigurt që shpejt do të përballeni edhe me procedurat dhe institucionet përkatëse për të dëmshpërblyer për dëmin e madh material që i shkaktoni për qëllimet tuaja keqdashëse biznesit privat”, vijon ajo.
Sipas deputetes së PD-së mediat e kontrolluara nga Edi Rama janë kthyer në një vuvuzelë të rëndomtë për mbrojtjen e interesave të tij.
“Zotërinj, injoranca juaj, nuk mund dhe nuk duhet t’ju lejojë që ju publikisht të spekuloni me ligjin e në emër të tij. Zotërinj, fakti që ne, deputetët e mazhorancës, në emër të lirisë së medias, kemi bërë një kompromis që të mos ngremë padi ndaj mediave, nuk mund t’ju lejojë që të abuzoni, të përdoreni, apo keqpërdoreni duke bërë vuvuzelat e kryetarit të Partisë Socialiste, për qëllime të caktuara. E bëj këtë përgënjeshtrim jo për të sqaruar atë që e ka shkruar me keqdashje, apo ata që janë prapa emrash anonimë, ata meritojnë vetëm keqardhjen time më të madhe sepse i është dhënë detyra më e rëndomtë, ajo e shpifësve të mëdhenj. E bëj këtë sqarim, për të gjithë ata persona që në qarkun tim më besuan mua, besuan në ndershmërinë time dhe më dhanë votën. E bej këtë sqarim për ata persona që kanë besuar prej kohësh dhe vazhdojnë të besojnë në punën, ndershmërinë dhe përkushtimin tim”, deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi. Në përfundim, deputetja Vokshi i apelon të gjitha instancave ligjore, që të hetojnë kompanitë e pronarit të gazetës që përdoret për traktet e Edi Ramës dhe të bëhet transparenca e fondeve që kanë përvetësuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Duke përfunduar, do të kërkoja nga institucionet përgjegjëse shtetërore që të hulumtojnë
të gjitha kompanitë e pronarit të gazetës-trakt ‘Shekulli’, për të bërë transparencën e fondeve publike që këto kompani kanë marrë në mënyrë direkte ose indirekte nga Kryetari i bashkisë së Tiranës si dhe ku e për çfarë janë përdorur këto fonde”, konkludoi përgënjeshtrimin e saj publik, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.