E Diel, 1 Nëntor 2026

“Procesi është transparent, vetëm injoranca mund të abuzojë me listën”

Privatizimet, reagon Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë i është kundërpërgjigjur akuzave të bashkisë së Tiranës, për pa rregullsi në realizimin e procesit të privatizimit të disa objekteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Durim Kraja sqaroi se pretendimet e bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se METE nuk shet dhe as nuk tjetërson prona, por vetëm përgatit procedurat për procesin e privatizimit.
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të METE, lista e objekteve që janë në proces privatizimi është transparente dhe vetëm mosdashja apo mosdija bën që të abuzohet me këtë listë.
“Ju bëjmë me dije që, pasi ministria e Ekonomisë, me seriozitetin e duhur, kontrolloi të gjitha arkivat që ka në dispozicion, u vu re që as nuk ka pasur proces privatizimi dhe as nuk do të ketë proces privatizimi në lidhje me zonën që i përket fushës së Aviacionit, e cila që në vitin 2006, me vendimi nr. 2, të datës 04. 08. 2006 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, është kthyer nga zonë e veçantë në zonë të gjelbër dhe i është dhënë për zhvillim bashkisë së Tiranës. E themi këtë me përgjegjësi të plotë pasi i gjithë dokumentacioni që ne kemi në dispozicion, i cili nuk është i fshehtë, por publik për këdo, bën fjalë për të njëjtën gjë. Dëshiroj të bëj me dije që kjo situatë ka ardhur si rezultat i mosdashjes apo mos njohjes së ligjit nga ana e atyre që bëjnë deklarata të tilla”, u shpreh Kraja.
Sipas tij, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nuk shet dhe as nuk tjetërson prona. Ministria e Ekonomisë, bazuar në kuadrin ligjor në fuqi dhe në vendimin në fuqi, nr. 890, datë 09. 11. 2007, përgatit të gjithë procedurën e nevojshme për procesin e privatizimit. Privatizimi i objekteve dhe aseteve shtetërore bëhet nga ministria e Financave, ndërsa ministritë e linjës kanë për detyrë që të prononcohen paraprakisht për stadin aktual dhe nevojën apo jo për tu përdorur për interesa publike apo për tu kaluar në privatizim”, tha zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë.
Të gjitha pronat që janë në administrim të ministrisë së Mbrojtjes, pasi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura vendos që nuk janë më në interes të Strategjisë së Mbrojtjes Kombëtare, me një ligj të veçantë ato kanë kaluar në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, bën të gjithë hapat e nevojshme për t’i kaluar në proces privatizimi, privatizim që bëhet nga ministria e Financave.
“Vetëm keqdashja dhe shpifja me të cilën është argumentuar një listë, e cila aq sa është transparente për të gjithë mediat dhe institucionet e interesuara për të, bën që Aerodromin Civil të Tiranës ta tjetërsonin në Fushën e Aviacionit Civil. Sqaroj se Aerodromi është diçka shumë më i madh se sa Fusha e Aviacionit prej 5.5 hektarësh që është dhënë në përdorim bashkisë së Tiranës për ta zhvilluar si zonë të gjelbër, sepse aty ka prona të kthyera nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që në vitin 1996, që kanë qenë në varësi të bashkisë, po ashtu është dhe një repart që është në proces privatizimi, por nuk ka lidhje fare me zonën në fjalë. Janë dy objekte që i përkasin Aerodromit Civil të Tiranës, por njëra është fusha e Aviacionit që i është dhënë bashkisë për ta zhvilluar, ndërsa pjesët e tjera, sipas rregullave të shtetit shqiptar, janë për kthim kompensim pronash, po ashtu dhe për privatizim”, sqaroi më tej sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Durim Kraja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›