Deklarimi i pasurisë/Vokshi: "Vuvuzelat e kryetarit të PS-së spekulojnë, kam respektuar ligjin"

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, përgënjeshtron artikujt e fletushkës së kontrolluar nga Edi Rama
Deputetja e Partisë Demokratike për Qarkun Durrës, Albana Vokshi hodhi poshtë sot akuzat e botuara në një të përditshme shqiptare, e njohur si trampolinë e interesave të kryetarit të Partisë Socialiste. Duke iu referuar dy artikujve radhazi për mos deklarim të pasurisë, deputetja Vokshi garanton se ka respektuar me përpikmëri ligjin “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe disa Nëpunësve Publikë”. “Deklaroj, në përgjegjësinë time të plotë, që asnjë germë, asnjë fjalë në ligjet nr.9049, datë 10.04.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe disa Nëpunësve Publikë”, me ndryshime, të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”, me ndryshime, që e bën biznesmenin Arjan Tartari, subjekt që mbart detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, që çdo deklarim i pasurisë sime, që nga viti 2006 e deri më sot është bërë në respektim të plotë të ligjit”- u shpreh deputetja demokratike. Ajo kërkoi nga ILDKP, të sqarojë të gjitha pretendimet e ngritura në lidhje me deklarimin e pasurisë. “Kjo do të vërtetonte plotësisht që ju shpifni e vetëm shpifni. Kërkoj një përgënjeshtrim publik dhe ndjesë publike nga hartuesit e shpifjeve për dëmin moral që më keni shkaktuar mua personalisht dhe familjarëve të mi. Jam e sigurt që shpejt do të përballeni edhe me procedurat dhe institucionet përkatëse për të dëmshpërblyer për dëmin e madh material që i shkaktoni për qëllimet tuaja keqdashëse biznesit privat”- vijon ajo. Sipas deputetes së PD-së mediat e kontrolluara nga Edi Rama janë kthyer në një vuvuzelë të rëndomtë për mbrojtjen e interesave të tij. “Zotërinj, injoranca juaj, nuk mund dhe nuk duhet t’ju lejojë që ju publikisht të spekuloni me ligjin e në emër të tij. Zotërinj, fakti që ne, deputetët e mazhorancës, në emër të lirisë së medias, kemi bërë një kompromis që të mos ngremë padi ndaj mediave, nuk mund t’ju lejojë që të abuzoni, të përdoreni, apo keqpërdoreni duke bërë vuvuzelat e kryetarit të Partisë Socialiste, për qëllime të caktuara. E bëj këtë përgënjeshtrim jo për të sqaruar atë që e ka shkruar me keqdashje, apo ata që janë prapa emrash anonimë, ata meritojnë vetëm keqardhjen time më të madhe sepse i është dhënë detyra më e rëndomtë, ajo e shpifësve të mëdhenj. E bëj këtë sqarim, për të gjithë ata persona që në qarkun tim më besuan mua, besuan në ndershmërinë time dhe më dhanë votën. E bej këtë sqarim për ata persona që kanë besuar prej kohësh dhe vazhdojnë të besojnë në punën, ndershmërinë dhe përkushtimin tim”- deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi. Në përfundim, deputetja Vokshi i apelon të gjitha instancave ligjore, që të hetojnë kompanitë e pronarit të gazetës që përdoret për traktet e Edi Ramës dhe të bëhet transparenca e fondeve që kanë përvetësuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. “Duke përfunduar, do të kërkoja nga institucionet përgjegjëse shtetërore që të hulumtojnë të gjitha kompanitë e pronarit të gazetës-trakt SHEKULLI, për të bërë transparencën e fondeve publike që këto kompani kanë marrë në mënyrë direkte ose indirekte nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës si dhe ku e për çfarë janë përdorur këto fonde”- konkludoi përgenjështrimin e saj publik, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
...