Mazhoranca, votë unike për miratimin e ndryshimeve në buxhet. Berisha: Në PS ka deputetë të pashkolluar dhe me rezultate të dobëta

Incidenti në Kuvend, Garda e Republikës padit për ushtrim dhune, deputetin e PS-së Gjovalin Kadeli. Maliqi: Braçe kërcënoi kryetaren e Kuvendit, mbante një shishe në dorë
UPDATE- Edhe pse opozita nuk mori pjesë në votimin nen për nen të projektligjit për ndryshimet buxhetore në buxhetin e shtetit për vitin 2010-ë, shumica parlamentare i dha ‘Ok’ dokumentit të ri, duke formalizuar kështu një nga nismat më të suksesshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, për të sfiduar efektet e recensionit global. Shefi i ekzekutivit Berisha garantoi se shkurtimet buxhetore nuk prekin nivelin e investimeve, as rritjen e pagave dhe pensioneve dhe as ndihmën dhe kujdesin social, por reduktojnë shpenzimet e administratës publike. Sipas kryeministrit, rritja e pagave dhe pensioneve do vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Buxheti 75 vota pro- opozita bojkoton miratimin e projektligjit Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pak më parë nen për nen, ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2010-të. Me 75 vota ‘pro’ ligjvënësit e mazhorancës konfirmuan shkurtimet në buxhet, për t’i dhënë një hov të ri rritjes ekonomike dhe njëherazi për të forcuar ndjeshëm klimën e investimeve. Si zakonisht deputetët kundërshtuan projektligjin, me argumentin se përmes tij, ulet fatura financiare dhe sociale për qytetarët. Ata akuzuan qeverinë për mos menaxhim të mirë të financave publike dhe vendosën të mos marrin pjesë në miratimin e 16 neneve të tij. Në minutazhin e diskutimit të lirë deputetja socialiste Rudina Seseri i quajti të gabuara shkurtimet në buxhet, pasi siç theksoi ajo do të dëmtojë më shumë ekonominë në krizë në vend. Por e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, kriza që deklaron opozita është e rreme, pasi vendi po gëzon një rritje të konsiderueshme ekonomike. “Kjo qeveri, që prej ardhjes në pushtet 5 vjet më parë, çdo qershor ka sjellë në parlament ndryshimet në buxhetin e shtetit. Janë bërë të domosdoshme nga dinamika ekonomike. Kjo vjen si një vendim i qeverisë, për të çuan mesazhin më të fuqishëm në qarqet financiare të vendit. Ekonomia u rrit me 8% gjatë vitit 2008-ë, vijoi me një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2009-ë me 3.4%, atëherë kur e gjithë bota ishte zhytur në një hendek të thellë krize. Kemi dyfishim të ardhurash gjatë vitit 2010-ë dhe parashikohet një rritje ekonomike deri në 3%. Të ardhurat e mbledhura me taksat kanë arritur në 104 miliardë lekë, ndryshe nga 50 miliardë lekë të mbledhura nga opozita e sotme në vitin 2004. Shkurtimet buxhetore, lidhen me shkurtimet e shpenzimeve të administratës. Vetëm veturat dhe shoferët shpenzonin miliona. Plot 19 mijë dollarë në vit kushtonte një shofer. Ne kemi rritur fondin për pensionet. Gjatë qeverisjes tuaj, të nderuar deputetë, fondi për pensionet ka qenë vetëm 15 miliardë lekë. Në 5 vite ne e rritëm atë në 109 miliardë lekë. Ekonomia shqiptare do ketë gjatë këtij viti rritjen më të madhe. Vetëm rruga e kombit do sjellë plot 130 milionë euro të ardhura. Po, ka vetëm krizë flluckash. Të dashur deputete të PS jeni ulur në ato karrige si grupi i milionerëve. Ti deputetja Seseri je ulur si Kamberi”- u shpreh më tej kryeministri Sali Berisha, i cili i akuzoi deputetët e opozitës për mangësi të theksuara intelektuale.
Deklarata e kryeministrit: Në PS ka deputetë që janë të pashkolluar Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot gjatë diskutimeve në Kuvend se një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës, nuk kanë shkollë, ose edhe ata që e kanë mbaruar kanë një mesatare të dobët. Kjo tha kryeministri, reflekton direkt në reagimet e tyre, pjesa dërrmuese e të cilave ka si përgjigje paaftësinë e një pjese të mirë të deputetëve. Sipas kryeministrit, deputetët e PS se nuk dinë të bëjnë mirë llogaritë, kur flasin për situatën ekonomike, sepse kanë dalë dobët në shkolla. “Dëgjoni kam notat tuaj në regjistra dhe e di sa kapacitet keni. Arta Dade e ka 9.8, zonja Berberi ka mesataren 6, Zonja Seseri, 7, Arben Malaj e ka 5. Shega Shegushja e ka 9.8, dhe e ka të lartë se në fjalimin për diplomën mbajti fjalimin e kryetarit”- u shpreh shefi i ekzekutivit, Sali Berisha.
Denoncimi i Gardës së Republikës
Garda e Republikës do të ngrejë padi ndaj deputetit të PS-së Gjovalin Kadeli pas incidentit të ndodhur në seancën e sotme plenare. Përmes një deklarate për shtyp Garda thekson se gjatë seancës plenare, deputeti i Partisë Socialiste Gjovalin Kadeli ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës. “Goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur prandaj Garda e Republikës do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për këtë ngjarje. Sipas nenit 20, pika 1, të ligjit 8869 datë 22.05.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, “punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohet sipas dispozitave të kodit penal. Garda e Republikës në kryerjen e detyrave zbaton vetëm ligjin, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë”- thuhet në deklaratën për shtyp të Gardës së Republikës.
Lefter Maliqi: Erjon Braçe po kërcënonte kryetaren e Kuvendit, i largova shishen nga dora
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Berat, Lefter Maliqi, ka sqaruar incidentin e sotëm në seancë plenare mes tij dhe deputetit socialist, Erjon Braçe. Maliqi informoi se gjatë kohës së kryetarja e Kuvendit po citonte nenet e miratuar të ligjit për ndryshimet në buxhet, socialisti Braçe ka kërcënuar kryeparlamentaren si dhe mbante në dorë një shishe. “Ishte një incident rastësor si dhe njëherazi i dënueshëm. Incidenti filloi mes debateve të deputeteve femra për shkak të notave që përmendi kryeministri Berisha dhe ndërkohë që kryetarja e Kuvendit kërkoi 5 minuta pushim deputeti i PS-së Braçe përdori fjalë fyese ndaj drejtueses së seancës duke nxjerrë edhe shishe. Unë menjëherë mbërrita pranë foltores për t’i marrë shishen nga dora”- u shpreh deputeti Lefter Maliqi.
Sipas tij, incidenti ishte vetëm me fjalë dhe se nuk ka ndodhur asnjë lloj konfrontimi fizik. Dy deputetët e qarkut të Beratit ndajnë mes tyre një konflikt të hershëm.