Deklarimi i të ardhurave, qytetarët nuk dinë se si do të procedohet
Koha për të vetëdeklaruar të ardhurat po afron dhe qytetarët ende nuk janë të informuar për procedurën. Financat në fakt, kanë publikuar edhe formularin e vetëdeklarimit, si dhe udhëzuesin shoqërues. Por qytetarët nuk kanë dijeni se si do të zbatohet ky ligj, madje ata shprehen edhe skeptik me vërtetësinë praktike të përfitimit nga ligji në fjalë. Sipas ligjit, që do të fillojë të zbatohet nga 1 Janari 2012, krahas taksimit të të ardhurave vjetore, parashikohet edhe kompensimi i individëve, për ato që quhen shpenzime të zbritshme. Me fillimin e zbatimit të ligjit, çdo individ duhet të dorëzojë brenda datës 30 Prill të vitit pasardhës deklaratën e të ardhurave personale. Nisma për të detyruar me ligj qytetarët të deklarojnë të ardhurat e tyre vjetore, më së shumti ka të bëjë një lloj amnistie në të ardhurat e individëve. Kështu në deklaratën vjetore të të ardhurave të individëve, të ardhurat që teprojnë nga shpenzimet tatohen 10 për qind. Mirëpo, ligji përcakton disa shpenzime të zbritshme, që kanë të bëjnë me shpenzimet për mjekim, shkollim, për sigurime etj. Ligji parashikon që të mos përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme individët që kanë të ardhura vjetore mbi 800 mijë lekë. Kësaj kategorie nuk i njihen shpenzime të zbritshme, specifikisht mjekimi, kur individi nuk përfshihet në skemën e sigurimit dhe kredia për shkollim. Me anë të deklarimit të të ardhurave, në bazë të ligjit të ndryshuar “Për tatimin mbi të ardhurat” do të bëhet amnistia e individit. Ligji është një detyrim i strukturuar i deklarimit të të ardhurave të krijuara, që do të bëjë amnistinë e qytetarit.