E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, MASH rikthen sezonin e vjeshtës

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-07-2011 11:33

Ministria e Arsimit rikthen sezonin e vjeshtës për maturantët që kanë rezultuar ngelës në provimet e Maturës. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të cilat shpjegojnë se Matura 2011 është e fundit që mbështetet në programin e vjetër mësimor të gjimnazit. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka vendosur t’u ofrojë maturantëve që kanë mbetur në një ose më tepër provime të Maturës, mundësinë për t’u riprovuar në sezonin e vjeshtës, në muajin shtator të këtij viti. “Datat e provimeve të sezonit të vjeshtës do të njoftohen në një moment të dytë, por mbetet në fuqi e drejta e maturantëve mbetës për të dhënë provimet edhe vitin e ardhshëm. Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore do të udhëzohen për regjistrimin e maturantëve mbetës që dëshirojnë të riprovohen në sezonin e vjeshtës”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Për sezonin e vjeshtës, MASH do të verë në dispozicion tri data të ndryshme provimesh, një për Gjuhë-Letërsinë, një për Matematikën dhe një për dy provimet me zgjedhje. Nëse në këtë sezon maturantët do të rezultojnë kalues në lëndën/lëndët ku kanë ngelur, ata do të pajisen me Diplomën e Maturës, një dokument që u duhet detyrimisht këtë vit për të vijuar studimet e larta në universitetet private, ose mund t’i ruajnë rezultatet e mara në vjeshtë edhe për vitin e ardhshëm, për të konkurruar për në universitetet publike. Sipas të dhënave nga MASH, në provimin e Matematikës me notën 4 janë vlerësuar 4.93% e maturantëve, ndërsa në provimin e Letërsisë kanë rezultuar mbetës rreth 2.8 % . Në dy provimet me zgjedhje, numri i maturantëve mbetës ka qenë edhe më i lartë, 9 %. Përqindjet e maturantëve ngelës në katër provimet e Maturës, të përkthyera në shifra janë:1106 mbetës te Letërsia, 2095 te Matematika, dhe 4320 te provimet me zgjedhje. Pra, në total, në maturën e këtij viti kanë rezultuar ngelës 7521 maturantë, të cilët, mund t’i rijapin provimet në sezonin e vjeshtës, ose vitin e ardhshëm shkollor. Sipas kushteve të përcaktuara më parë nga Ministria e Arsimit, një maturant që rezultonte mbetës qoftë edhe në një nga provimet e Maturës, nuk kishte të drejtë vijonte studimet e larta jo vetëm në shtet, por edhe në privat, pasi nuk zotëronte Diplomën e Maturës. Rifutja e sezonit të vjeshtës është mundësia më e mirë për maturantët që nuk kanë kaluar me sukses katër provimet e Maturës, për të vijuar studimet e larta në universitetet private, për të mos ngelur një vit pa shkollë. Pasi, me gjithë se në sezonin e vjeshtës këta maturantë mund t’i marrin provimet, ata nuk mund të futen këtë vit në procesin e pranimeve për në universitetet publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›