Deklarimi i të ardhurave, shtyhet afati për individët

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj
Amnistia shtyn deri në shtator deklarimin e të ardhurave nga çdo individ.
Rushaj: Tavani 2 milionë, për shpenzimet e zbritshme 1 milion.
Shtyrja e afatit të amnistisë fiskale ka bërë që Ministria e Financave të shtyjë edhe afatin e dorëzimit e deklarimit të të ardhurave. Nëse në ligjin aktual formulari i deklarimit të të ardhurave duhet të dorëzohej deri më 30 prill, me ndryshimet e bëra afati i ri është data 1 shtator. Harmonizimi i të dy ligjeve, atij të amnistisë dhe atij të deklarimit të të ardhurave, argumentohet nga Financat me arsyen e lënies së hapësirave të nevojshme qytetarëve që kanë ende kapital për të legalizuar dhe më pas të bëjnë deklarim të saktë të tij. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tha dje për gazetën se për të çuar në kronologji edhe deklarimin e të ardhurave, ne vendosëm ta shtyjmë me katër muaj edhe afatin për dorëzimin e deklaratës së parë të të ardhurave të krijuara për vitin 2011. Kjo do të thotë që një qytetar që ka të ardhura të palegalizuara, ti legalizojë këto tre muaj dhe më pas ti deklarojë ato si të ardhura të krijuara para se ligji të ketë hyrë në fuqi. Kjo është lidhja që ka ligji i deklarimit të të ardhurave me atë të amnistisë fiskale. Por, shtyrja e afatit nuk është ndryshimi i vetëm. Ministria e Financave ka gjykuar si të drejtë dhe ndryshimin e tavanit të deklarimit të detyruar të të ardhurave, duke e rritur atë ndjeshëm nga 200 mijë lekë, në 2 milionë lekë. Duke parë dhe fluksin, dhe eksperiencën e amnistisë fiskale, menduam se do të ishte më efektive sikur të rritnim limitin e të ardhurave për të cilën individët kanë detyrimin për deklarim. Në këtë mënyrë do të zvogëlonim numrin e atyre që kanë detyrimin për deklarim, por do të bënim edhe atë që vitin e parë, meqë është shtyrë afati deri më 1 shtator, të zvogëlonim numrin e deklaruesve dhe procesi të bëhet shkallë-shkallë, në mënyrë graduale, te një masë më e gjerë, sqaron zëvendësministri Rushaj. Gjithsesi, rritja e tavanit të deklarimit të detyruar nuk shfuqizon pikën e ligjit që i lejon individët që dëshirojnë të deklarojnë vullnetarisht të ardhurat e tyre përmes plotësimit të formularit. Sakaq, të gjithë qytetarët që kanë si të ardhur të tyre vetëm pagën e deklaruar dhe për të cilën atyre u është vjelë tatimi në burim, nuk lind nevoja e deklarimit përveçse në rastin kur kjo bëhet në mënyrë vullnetare. Deklarimi vullnetar i të ardhurave bëhet edhe si efekt i përftimit nga kategoria e shpenzimeve të zbritshme që ligji përcakton. Janë disa kategori që kanë të ardhura të mesme dhe të ulëta, të cilat për disa shpenzime të bëra gjatë vitit përfitojnë rimbursim të tyre. Niveli minimal i të ardhurave për ata që përfitojnë shpenzime të zbritshme është rritur nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë për shkak se është rritur paga minimale. Të drejtën për të deklaruar e ka çdo individ që krijon të ardhura. Është e rëndësishme sepse në këtë mënyrë, një numër i caktuar individësh, sidomos ata që kanë të ardhura të ulëta dhe të mesme, kanë të drejtë të përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme. Është një grup, të cilëve shteti u rimburson një pjesë të shpenzimeve, siç janë blerjet e barnave, shpenzimet shëndetësore, interesat e kredive të marra për arsimim. Limiti i shpenzimeve të zbritshme është rritur në 1 milion nga 800 mijë lekë, që ishte për shkak të rritjes së pagës minimale, pra është pesëfishi i saj që është miratuar në shkallë kombëtare, shprehet Rushaj.
2 milione leke
është tavani i ri i vendosur për deklarimin e detyruar të të ardhurave individuale. Ky tavan, sipas ligjit të miratuar më herët, ishte 200 mijë lekë, por është ndryshuar së fundi nga Ministria e Financave
1 milion leke
është limiti i të ardhurave të deklaruara për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme. Qytetarët që kanë këtë nivel të ardhurash përfitojnë rimbursim për disa shpenzime. Më herët ky limit ishte 800 mijë lekë
NERTILA MAHO