Kriza, BB: Hua shtesë për qeverinë

Selia e Bankes Boterore
Qeveria duket se ka ndryshuar këndin nga ku e shihte Shqipërinë në lulëzim dhe me një krizë larg saj, dhe tashmë është detyruar të pranojë realitetin dhe nevojën për para. Banka Botërore është institucioni i parë financiar ndërkombëtar ku është trokitur për të gjetur zgjidhje dhe përgjigjja ka qenë pozitive. Vendi ynë pritet që të marrë më shumë hua nga Banka për të plotësuar deficitet e krijuara nga rënia e remitancave dhe rritja e ngadaltë ekonomike larg parashikimeve optimiste. Zyra e Bankës Botërore në Tiranë njoftoi se javën e ardhshme, ekspertë të saj, së bashku me partnerët e qeverisë, do të takohen për të diskutuar mbi fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Banka Botërore konfirmon se aktualisht është në negociata dhe nuk është vendosur se sa do të jetë shuma që do të jepet si hua për të ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë të vështirë. Më herët, në programin e kësaj banke për periudhën 2011-2014, ishin të përcaktuara disa dhjetëra milionë euro për të financuar buxhetin. Mbështetja vjetore për buxhetin ka gjasa të jetë në shumën 25 milionë dollarë, fillimisht për projekte me karakter reformues të sektorit social dhe më pas për një seri prej tre DPL (Huadhëniesh sipas Politikave për Zhvillim), të fokusuara në rritje ekonomike dhe investime, thuhet në këtë program të miratuar në vitin 2010. Financimi i Bankës Botërore në atë kohë përcaktonte një rritje të kësaj ndihme në bazë edhe të situatave që mund të shfaqeshin, siç ishte në atë kohë kriza politike, kriza e fqinjëve e me radhë. Sot duket se jemi përpara këtij realiteti dhe se kriza e fqinjëve dhe e vetë eurozonës ka dhënë impaktin e saj dhe për vendin tonë, çka e bën të nevojshme ndërhyrjen e Bankës Botërore. Qeveria e Shqipërisë do të jetë në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonomik për vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, konfirmon zyra e BB.
25 milione euro
në vit parashikohej financimi i Bankës Botërore për buxhetin në programin e saj për vitet 2011-2014, i hartuar për Shqipërinë. Ky nivel financimi, me vështirësitë e tanishme si efekt i krizës, ka gjasa që të rritet në mënyrë të konsiderueshme