Deklaron ministri i Brendshëm Lulzim Basha: Qeveria shqiptare, tolerancë zero ndaj formave të veprimtarisë së mafies

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh dje gjatë fjalës së tij mbajtur në konferencën rajonale me temë “Forcimi i Bashkëpunimit në Fushën e Sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Evropës Julgindore në Bashkimin Evropian”, se qeveria shqiptare ka shpallur prioritetin e saj për tolerancë zero ndaj të gjitha formave të krimit.
Vëmendje të veçantë, vuri në dukje Basha, do ti kushtohet, “vendosjes së një rendi demokratik, në një shoqëri të pastër, një kontroll të sigurt e rigoroz të territorit dhe të kufijve, tolerance zero ndaj të gjitha formave të krimit, veçanërisht atij të organizuar, korrupsionit, terrorizmit apo formave të organizimit të krimit rajonal dhe ndërkufitar”, u shpreh Basha. Vëmendje të veçantë, tha ministri Basha, qeveria do të ushtrojë trafiqeve ilegale dhe veprimtarive të mafies në vend.
Basha nënvizoi se “për të realizuar këtë objektiv ne kemi bashkëpunuar ngushtë me BE, projektin e tij CARDS, misionet ICITAP, PAMECA, organizatën ndërkombëtare për migrimin, UNHCR, OSBE, etj, me të cilët kemi përgatitur edhe shumë programe për trajnime të ndryshme”.
Lidhur me ecurinë e prodhimit të pasaportave të reja biometrike, Basha tha se procesi po ecën me ritme të kënaqshme, duke theksuar se deri në fund të nëntorit kanë aplikuar për pasaportë 282.712 qytetarë dhe e kanë tërhequr atë 222.607 qytetarë.