E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria do respektojë autonominë e vendorëve”

Taksat lokale/Kryeministri akuzon kryesocialistin se po dezinformon qytetarët

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se po abuzon duke keqinformuar publikun lidhur me sistemin e ri të taksave dhe uljen që do të pësojnë sipas tij të ardhurat e pushtetit lokal nga ky ndryshim që do të aplikohet nga një janari i vitit të ardhshëm. Përpara deputetëve demokratë, kreu i maxhorancës ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për të respektuar autonominë e vendorëve dhe për të demonstruar këtë Berisha i ka kërkuar ministrave të brendshëm dhe atij të Punëve Publike organizimin e një tryeze me krerët e pushtetit lokal, pa dallim ngjyrash politike. “Ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët shoqatat e bashkive dhe komunave të vendit, le të ulen me këta përfaqësues dhe t’u japin garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës së të taksave të ulëta të qeverisë, do t’u kompensohet nga buxheti i shtetit”, u shpreh kryeministri.
Shefi i Ekzekutivit garantoi se kjo nuk bëhet kjo për asnjë lloj forme diskriminimi, por bëhet për të mbrojtur gjeneratorin kryesor të punësimit, kjo bëhet për të fuqizuar gjeneratorin e punësimit në këtë vend, kjo bëhet me besimin tonë më të thellë se paratë në kontot e biznesmenëve dhe investitorëve privatë, janë  më të vlefshme për vendin sesa në kontot publike, sepse janë ata që punësojnë, që prodhojnë, që janë  promotorë të zhvillimit të vendit. “Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të ulur taksat. Një protestë e atyre që kanë pasur nga kjo qeveri 3-4 herë financime më të mëdha se sa më parë, të ngjall keqardhje, kur sheh partnerë që protestojnë për atë që s’ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve të tyre, por vetëm në funksion të aleancës. Megjithatë, Bode u bëri atyre një transparencë shumë të shkëlqyer. Ai, me fakte, paraqiti  rritjen e madhe të financimit për qeverisjet vendore. Lëvizja që ne bëjmë në kuadrin fiskal, ka dy qëllime; së pari, mbrojtjen dhe zbatimin e politikës së taksës së ulët. Nuk duhet të ndodhë siç ndodhi në Tiranë që vetëm tabela e dyqanit filloi të kushtojë pothuajse sa gjysma e taksës së biznesit të vogël dhe taksa e gjelbërimit u bë 4-fishi i asaj që kishte qenë 2 vjet më parë,  ose nëse këto para shkuan për të paguar mijëra militantë, me të cilit unë nuk kam asgjë, por thjesht u them se nuk mund të paguhen në këtë mënyrë, pasi institucionet shtetërore nuk janë ndërmarrje punësimi. Në filozofinë tonë, sa më e vogël administrata, aq më shumë rriten shanset e punësimit në sektorin privat, aq më shumë zvogëlohet abuziviteti mbi sektorin privat”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›