Kreu i grupimit Dhjetor ’90-të, Bislim Ahmetaj: Pjesëmarrja masive në festën e 8 dhjetorit, sendërton rrugën e Shqipërisë drejt BE

Deklarata e plotë për shtyp e kryetarit të grupimit dhjetor ’90-të, Bislim Ahmetaj me rastin e festës kombëtare të 8 dhjetorit, dita e Rinisë dhe pluralizimit
“Jemi sot para jush ne Selinë tonë natyrale pranë vendit ku u vra Lideri i Levizjes Studentore i përjetshmi Azem Hajdari për të lartësuar dhe përkujtuar rolin historik e të pazëvendësueshëm të tij në atë lëvizje që ju riktheu shqiptarëve lirinë e grabitur dhunshëm për gati gjysëm shekulli. Gjithashtu e organizuam këtë kontakt me median pasi Grupimi “Dhjetor 90” në këtë përvjetor të Lëvizjes Studentore konstaton me keqardhje se dita e 8 Dhjetorit po synohet të keqpërdoret dhe të manipulohet jashtë të vërtetës historike dhe politike të saj nga segmentet dhe struktura të establishmentit të cilin ne e përmbysëm para 19 vitesh. Vlerat e kësaj dite të shënuar, të cilën e kanë legjitimuar të gjithë qytetarët si Dita e Rinisë Shqiptare kanë të bëjnë me lirinë dhe vlerat e saj, me ëndrrën Europiane që po bëhet gjithnjë e më e prekshme dhe me vazhdimësinë e projektit politik të Partisë Demokratike produkti i parë i Levizjes Studentore te Dhjetorit 90. Theksojmë se Lëvizja Studentore ’90 e renditi për herë të parë në historinë e saj Shqipërinë në sinkron të plotë me lëvizjet politike të Europës Lindore për liri dhe demokraci. Nëqoftëse në periudhat e tjera të historisë shqiptarët kanë qenë gjithnjë me dekada prapa kombeve të tjerë, me 8 dhjetor 1990 rinia studentore kapi në mënyrë inteligjente dhe pothuajse biblike ritmin e munguar shekullor të kohës dhe e vendosi Shqipërinë politikisht në rradhën e kombeve më të qytetëruara të Europës. Mjerisht konstatohet se sa herë që dyert e Europës hapen për Shqipërinë, atavizmat e të majtës kriminale shqiptare përpiqen t’i mbyllin këto dyer në emër të një pushteti të pavotuar dhe të marrë me dhunë. Ju kujtojmë rastet e afrimit të Gjermanisë në vitin 1989 me vizitën e Gensherit, revolucionin e zi komunist të vitit 1997 si edhe përpjekjet sistematike pas vitit 2005 të këtyre atavistëve për ta penguar Shqipërinë për antarësim në NATO, liberalizimin e vizave dhe pranimin në Bashkimin Europian. Nesër, ne autorët dhe organizatorët e Lëvizjes Sdudentore të Dhjetorit ‘90, ftojmë të gjithë shqiptarët që e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë në Bashkësinë e vendeve europiane, që besojnë të Zoti dhe liria të marrin pjesë në festën e rinisë, në festën e pluralizmit, ne festën e lirisë. Pjesëmarrja masive dëshmon kredon tonë finale të pranimit politiko-qytetar për ta sendërtuar pjesëmarrjen në familjen e madhe europiane”.
...