E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaron senatorja franceze Maylam: Sovrani vendosi më 28 qershor, opozita të respektojë institucionet

“Në zgjedhjet e 28 qershori, populli foli. U bënë zgjedhje demokratike dhe institucionet duhet të respektohen”. Kështu u shpreh sot senatorja franceze Joelle Garriaut Maylam, pas takimit të zhvilluar me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në bisedën me Kryetaren e Kuvendit, senatorja Maylam tha se transformimet në
Shqipëri janë impresionuese ndërsa vlerësoi faktin që në krye të parlamentit është një grua.
“Kjo është diçka e rrallë edhe në Europë është një shenjë e fortë e energjisë dhe forcës suaj por edhe e demokracisë së shoqërisë shqiptare”, u shpreh senatorja franceze.
Ajo tha se Franca, autoritet e saj, kanë kënaqësinë të mbështesin dhe të ndihmojnë Shqipërinë në përshpejtimin e proceseve integruese. Kryetarja e Kuvendit falenderoi Francën për mbështetjen dhe votën e saj pro
Shqipërisë në 16 nëntor, për pranimin e statusit të vendit kandidat në BE. Po ashtu edhe deputetët francezë të Parlamentit Europian për rezolutën e cila vlerëson arritjet madhore të Shqipërisë në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët me vokacionin dhe mendësinë e tyre
perëndimore janë energjia kryesore integruese. Ajo  tha se, ne ndihemi krenarë që bëmë të mundur që ata të jenë qytetarë të NATO-s, të lëvizin vitin e ardhshëm pa viza dhe së shpejti të bëhen edhe qytetarë të Bashkimit
Europian, sepse shqiptarët janë europianë. Kryetarja e Kuvendit dhe senatorja Maylam shprehën bashkarisht interesin për rritjen e shkëmbimeve parlamentare mes Senatit dhe Asamblesë Kombëtare të Francës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›