Hetimi i zgjedhjeve, mbetet pezull përbërja e komisionit

Përbërja, Konferenca e Kryetarëve diskuton dy variantet. Seanca plenare vendos sot datën e ngritjes së komisionit
Konferenca e Kryetarëve përsëri nuk gjen konsensusin për formulën e përbërjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. E mbledhur dje, ajo ka miratuar emrat e propozuar nga mazhoranca dhe opozita si anëtarë të këtij komisioni, edhe pse mbetet ende e paqartë nëse mazhoranca dhe opozita do të kenë numër të barabartë anëtarësh apo jo. Mbeten ende në fuqi dy variantet e PS-së, i pari që të dyja partitë të kenë 7 anëtarë, por kryetari, që do të jetë i PS-së, të ketë dy vota dhe varianti i dytë, që mazhoranca të ketë 8 anëtarë dhe PS 7, por me kushtin që kryetari i saj të ketë 3 vota. Konsensusi ka munguar edhe për pikën tjetër, atë të datës për ngritjen e komisionit. Gjithçka pritet të sqarohet në seancën e sotme.
Komisioni hetimor
Seanca e sotme plenare voton datën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në qershorin e vitit të kaluar. Kjo, pas mungesës së konsensusit në Konferencën e Kryetarëve. Kjo konferencë e mbledhur pasditen e djeshme nuk ka mundur të gjejë konsensusin për datën. Përfaqësuesit e opozitës nuk janë tërhequr nga qëndrimi i tyre që shqyrtimi i kërkesës të bëhet më datën 16 dhjetor. Por këmbëngulëse është shprehur edhe mazhoranca për datën 23 dhjetor, duke argumentuar se duhet më tepër kohë për shqyrtimin e kërkesës dhe për diskutimin e kushtetutshmërisë së saj në Komisionin e Ligjeve. Për këtë arsye data pritet të vendoset sot në seancë plenare. Në axhendën e seancës parashikohet të jetë pika e 19 e rendit të ditës. Ndërkohë që mbetet ende e paqartë edhe formula e komisionit hetimor për sa i përket përbërjes së tij. Sipas emrave të propozuar dje, për të cilët është rënë dakord, PD do të ketë si anëtarë përkatësisht Ilir Rusmalin, Eduart Halimin, Viktor Gumin, Edi Palokën, Arenca Trashanin, Enkelejd Alibeajn dhe Aldo Bumçin, ndërsa anëtarët socialistë janë Fatmir Xhafaj, Armando Subashi, Asllan Dogjani, Ermonela Felaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja dhe Saimir Tahiri. Edhe pse është pranuar formalisht ky propozim, duhet të vendoset nëse do të pranohet që secila parti të ketë 7 anëtarë dhe kryetari i PS-së të ketë të drejtën e dy votave apo që mazhoranca të ketë 8 anëtarë dhe kryetari i PS-së të ketë 3 vota. Varianti më i pranueshëm duket se është ai me 14 anëtarë gjithsej. Pas miratimit sot në seancë plenare të projektvendimit “Për caktimin e datës së shqyrtimit në Kuvend të kërkesës së 35 deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009” do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të vijojë shqyrtimin e projektvendimit. Dy ditë më parë, Komisioni i Ligjeve, edhe pse e kishte në axhendë, e shtyu shqyrtimin e kërkesës pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve për ta rikthyer atë për riformulim.
Komisioni hetimor
Anëtarët e PD-së
Ilir Rusmali
Eduart Halimi
Viktor Gumi
Edi Paloka
Arenca Trashani
Enkelejd Alibeaj
Aldo Bumçi
Anëtarët e PS-së
Fatmir Xhafaj
Armando Subashi
Asllan Dogjani
Ermonela Felaj
Damian Gjiknuri
Ilir Beqja
Saimir Tahiri
Variantet e propozuara
Varianti i parë
Mazhoranca dhe opozita nga 7 anëtarë. Kryetari të jetë i PS-së me të drejtën e dy votave.
Varianti i dytë
Mazhoranca 8 anëtarë dhe opozita 7 anëtarë. Kryetari i PS-së me të drejtën e tre votave.