Bashkia e Durrësit proteston për të tretën ditën rresht për uljen e të ardhurave
DURRËS - Punonjësit e administratës së Bashkisë së Durrësit dhe ndërmarrjeve që varen prej saj kanë protestuar për tri ditë me radhë në lidhje me vendimet e qeverisë që synojnë pakësimin e të ardhurave të buxhetit për vitin 2010. Menjëherë pas mbarimit të orarit zyrtar të punës, në orën 16:00, para Bashkisë së Durrësit, qindra punonjës janë mbledhur përpara godinës në ditën e tretë radhazi në shenjë proteste ndaj vendimeve që cenojnë autonominë e qeverisjes vendore. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur para mediave se “ne protestojmë me synimin për ndryshimin e vendimeve të qeverisë që cenojnë buxhetin e vitit 2010 dhe rrjedhimisht edhe investimeve e shumë shërbime ndaj qytetarëve”. Konkretisht bëhet fjalë për 1,7 miliardë lekë të vjetër që i pakësohen të ardhurave të Bashkisë nga këto vendime, ndërkohë që buxheti i Bashkisë për vitin 2009 ka qenë rreth 14 miliardë lekë të vjetër. Më saktë, të ardhurat e Bashkisë së Durrësit janë rreth 25 për qind më të ulëta dhe në këtë mënyrë shërbimet dhe investimet në qytetin tonë do të bien ndjeshëm. Bashkia përfiton nga taksa e KRRT-së një shumë prej 2.3 miliardë lekësh të vjetër në vit, por edhe kjo rrezikohet për shkak të bllokimit të punës që po bëhet edhe në KRRT. Buxheti i ardhshëm, u shpreh kryebashkiaku Dako, do të ketë në total 4.1 miliardë lekë më pak se viti i kaluar. “Ne po protestojmë në këtë mënyrë për tri ditë resht; më pas, me kryetarët e tjerë të komunave dhe bashkive në vend, do të vendoset për hapat e mëtejshëm”, - u shpreh kryetari i Bashkisë Vangjush Dako.
5 Dhjetor 2009