Dekorohen 24 pjesëtarë të FSK-së

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Sylejman Selimi, kanë ndarë medalje për pjesëtarët e njësiteve të FSK-së që morën pjesë në garat ndërkombëtare në Krivollak të Maqedonisë dhe Nijmegen të Holandës.
Ceremonia e ndarjes medaljeve është organizuar të enjten, me rastin e trevjetorit të themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa prezent ka qenë edhe Garda e Nderit.
Me këtë rast ministri Çeku ka thënë se me suksesin e treguar në këto dy gara ndërkombëtare krenohet jo vetëm FSK-ja, por e gjithë Kosova.
“Ju në këto dy ngjarje që kanë shumë të rëndësishme, ngjarje ndërkombëtare ku FSK-ja është radhitur krah për krah me ushtritë e vendeve të tjera dhe jo vetëm radhitur, por ka treguar profesionalizëm shumë të lartë, disiplinë, përkushtim motivim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë personalisht në kampin veror në Krivolak në Maqedoni dhe kam ndier një mburrje shumë të madhe duke i dëgjuar oficerët e ushtrive tjera që kanë qenë me ju ato 10 ditë. Duke dëgjuar ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë fjalë miradije dhe për një befasi të këndshme që keni treguar në kampin Krivolak”, tha Çeku, me këtë rast, transmeton KosovaPress.
Ministri Çeku ka rikujtuar se për 4 ditë rresht pjesëtarët e FSK-së në Nijmegen kanë kaluar 160 kilometra me gjitha pajisjet, duke dëshmuar se vërtet e kanë kuptuar detyrën dhe kuptuar rëndësinë, për të prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu ai ka shtuar se FSK-ja është me fat pasi që tani e tutje do të marrë pjesë për çdo vit në këtë marsh tradicional, i cili është i 95-ti me radhë. Ndërsa këtë marshim vetëm dy ekipe kanë arritur të përfundojnë në mesin e tyre edhe ushtarët e FSK-së.
I pari i kësaj force ka kërkuar nga gjeneratat e tjera të FSK-së që të tregojnë suksese edhe më të mëdha në garat e ardhshme.
“Tani është radha e gjeneratave tjera që t’i tejkalojnë këto standarde që i keni vendosur dhe nuk do të ketë thyerje të këtyre standardeve, nuk do të ketë performancë më të dobët se sa ju që keni vendos dhe çdo vit do të rritet performanca edhe njësiteve që shkojnë jashtë, por edhe FSK-së në përgjithësi, sepse ky është synimi i yni”, ka thënë Çeku.
Me medalje janë dekoruar 11 ushtarë dhe komandanti i tyre që ka marrë pjesë në ushtrimin një javor në Krivolak të Maqedonisë, ndërsa 10 ushtarë të tjerë dhe komandanti i tyre janë dekoruar me medalje për marshimin në Nijmegen të Holandës.