E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Nuk ka krizë humanitare në veri

Nga Express më 04 gusht 2011 në ora 13:30

Situata e krijuar pas informacioneve se është arritur një marrëveshje mes komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Borisllav Stefanoviq, është sqaruar gjatë takimeve që kryeministri Hashim Thaçi ka pasur mbrëmë dhe sot me komandantin e KFOR-it. Në një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar, Thaçi ka sqaruar se ka pasur takim të frytshëm me Buhlerin dhe është sqaruar situate e krijuar.

Thaçi ka thënë se shqetësimi konsiston në raportimet për një krizë humanitare në veri, për ç’gjë ai ka thënë se nëse agjencionet e Kombeve të Bashkuara konstatojnë se ka krizë humanitare, institucionet e Kosovës janë të gatshme të bashkëpunojnë në çdo drejtim.

“Shqetësimi ynë ndërlidhet me formuilimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare. Pikë së pari në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Politikanët nuk janë ata që përcaktojnë se a ka krizë humanitare apo jo. Dje në Mitrovicë të gjitha agjencionit e UN-it që merren me çështje humanitare kanë konkluduar se nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri. Më lejoni ta them qartë, që ne nuk i kemi braktisur në asnjë rrethanë dhe nuk do t’i braktisim qytetarët tanë në veri. Ata janë shtetasit tanë, qytetarët tanë dhe ne do t’u dalim në ndihmë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që kemi në nivel qendror dhe nivel lokal”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se edhe komandantit të KFOR-it ia ka bërë të qartë, se institucionet e Kosovës do t’i kryejnë obligimet e veta nëse vlerësohet se ka krizë humanitare.

“Në takimin që kishim me gjeneralin e KFOR-it, Byhler, e njoftuam se në rast se asgjencionet e pavarura ndërkombëtare që merren me çështje humanitare vlerësojnë se ka nevojë, ne si institucione do të bashkëpunojnë në tërësi dhe do të jemi plotësisht në krye të obligimeve tona”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë ai ka ritheksuar se nuk do të ketë kthim prapa dhe askush nga partnerët e Kosovës nuk e kërkon një gjë të tillë.

Thaçi ka thënë pikat 1 dhe 31 tani janë zonë ushtarake dhe në asnjë mënyrë nuk do të ketë kthim të gjendjes së para 25 korrikut, ngase veriu nga një vrimë e zezë e kontrabandës dhe krimit, ka hyrë në fazën e rendit dhe ligjit.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka theksuar se reciprociteti me Serbinë po vazhdon në gjithë kufirin, përfshi edhe pikën 1 dhe 31, ndërsa ka theksuar se ka rritje të importit të mallrave nga vendet tjera, përkatësisht Maqedonia, Turqia, Sllovenia, Gjermania dhe Kroacia, produkte këto që zëvendësojnë produktet serbe. (kp)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›