Dekorohet akademiku kosovar Hamiti
11/05/2010 Nga Presidenca përmes një ceremonie zyrtare kreu i shtetit Bamir Topi dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” akademikun kosovar Sabri Hamiti me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në mendimin modern shqiptar në studimet albanologjike si dhe për rolin e luajtur në përballimin e sfidave historike me të cilat u ndesh populli shqiptar në fund të shekullit XX”. “Në këtë ditë, duke bërë vlerësimin për ju, në të njëjtën kohë jam i motivuar të vlerësoj gjithë veprimtarinë tuaj, tërë përkushtimin tuaj për çështjen kombëtare, por sot unë jam i lumtur që ky vlerësim bëhet kur për më shumë se dy vjet Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, është një shtet që po konsolidohet çdo vit. Krenohem për arritjet e jashtëzakonshme që ka bërë Kosova dhe institucionet e saj gjatë këtyre dy vjetve për projektimin e një shteti shumetnik, të një shteti që, ndonëse është i ri, ka vlera shumë të vjetra historike të kulturës, të identitetit”, - tha Presidenti, që sipas tij në të gjitha këto vlera Hamiti ka firmën e tij.