E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, ulet inflacioni në prill

11/05/2010 Shifrat

Inflacioni për muajin prill shënoi përsëri një rënie dhe regjistroi normën 3.5 për qind, nga 3.9 që ishte në muajin mars. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, në rënien e indeksit të çmimeve të konsumit ndikoi veçanërisht grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që shënoi një rënie prej 1.4 për qind. Edhe inflacioni i grupit “Veshje dhe këpucë” pësoi një rënie prej 0.2 për qind krahasuar me muajin mars. Gjatë muajit prill, çmimet e karburanteve pësuan rritje krahasuar me muajin mars. Çmimi i naftës u rrit me 5.8 për qind, ndërsa çmimi i benzinës u rrit me 4.5 për qind. Pikërisht kjo kategori duket se do të vijojë të jetë me të njëjtat parametra edhe gjatë muajit të ardhshëm, pasi tregtarët deklarojnë se çmimet do të njohin vetëm rritje. Më të shtrenjta për muajin prill ishin edhe shërbimet shëndetësore. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, ku çmimet e medikamenteve u rritën me 2.1 për qind. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 1.4 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›