E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretet, Berisha: Topi të zbatojë vendimin e Kushtetueses

 

Berisha nuk ndryshon qëndrim. Dekretet e Topit duhet të ishin firmosur me pëlqimin e PD-së

TIRANË- Një trokitje gotash, që erdhi si rezultat i dekorimit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grosruk. Vetëm kaq solli takimi i një dite më parë mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Përplasja për dekretet u tregua qartë edhe në shtrëngimin e duarve dje në Presidencë, ku dy krerët e institucioneve respektuan bindshëm vetëm atë që e kërkonte protokolli dhe asgjë më shumë. Ndërkohë vetëm pak minuta më pas, kryeministri Sali Berisha drejtoi si çdo të hënë mbledhjen e grupit parlamentar, ku qartazi tregoi, ashtu si edhe javën e kaluar, se nuk kishte ndryshuar qëndrim ndaj Presidentit të Republikës, lidhur me dekretet. Sipas deputetëve të grupit parlamentar, kryeministri Berisha është shprehur edhe njëherë se do të zbatohet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke kujtuar se të njëjtën gjë duhet të bënte edhe kreu i shtetit. Madje, Berisha ka sjellë në vëmendje faktin se Kreu i Shtetit është zgjedhur me votat e mazhorancës, një arsye më shumë, sipas tij, për të cilën ai duhet të pyeste edhe PD-në. Për këtë çështje, Berisha mësohet të jetë shprehur se nuk mund të pyeten vetëm individë të veçantë. Megjithatë, referuar gjithnjë deputetëve, Kryeministri duket se ka qenë më i zbutur në qëndrimin e tij, duke dashur që kjo çështje të shihet me maturi dhe qetësi.

Vendimi

Edhe pse deputetët kanë qenë të qartë mbi atë ç’ka Kryeministri ka shprehur, ata kanë dhënë interpretime të ndryshme mbi Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, sepse kreu i ekzekutivit është ndalur vetëm tek zbatimi i saj, por pa sqaruar nëse kjo nënkuptonte rrëzimin e dekreteve, apo mosfutjen e tyre në procesin e votimit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se, “për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Kuvendi ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por edhe meritën e emërimit të tyre”. Pikërisht përmes këtij vendimi, PD pretendon se presidenti Topi duhet të zhvillonte negociata paraprake me dy forcat kryesore politike në vend, lidhur me emërimin e gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë, ashtu siç kanë vepruar edhe paraardhësit e tij. Nisur nga ky fakt, demokratët pretendojnë se nuk mund të futesh në diskutime për anëtarët e dekretuar, për sa kohë që nuk është respektuar, sipas tyre, vendimi për të marrë pëlqimin e forcave politike parlamentare për emërimin e gjyqtarëve. Në anën tjetër, Kryeministri ka deklaruar se dekretet e Presidentit do të shqyrtohen së shpejti në Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që vetëm pak orë pas përfundimit të mbledhjes, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi gjatë seancës në Kuvend se mbledhja do të zhvillohet sot. Në bazë të Rregullores, “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështje Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore”. Kjo do të thotë se dekretet e Topit do t’i nënshtrohen procesit të shqyrtimit e më pas votimit në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›