E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i KESH, ofertë e bollshme, çmime të larta

 

Si rrallëherë, oferta në tenderin e KESH qe më e lartë sesa kërkesa, por çmimet shënuan rritje të mëtejshme

Çmimi i energjisë elektrike të importuar në Shqipëri, shënoi një rritje të mëtejshme në tenderin e zhvilluar nga KESH sh.a., për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, duke arritur në maksimumin historik prej 87 eurove për MW, e barasvlershme me 10.6 lekë për kWh. Gjatë vitit të kaluar, KESH importoi energji me çmim mesatar prej 8.77 lekësh për kWh. Çmimet u rritën vitin e kaluar me më shumë se 47%, ndërkohë që këtë vit, shënohet një rritje tjetër prej rreth 20%.

Rezultatet e tenderit të djeshëm, treguan si rrallëherë një ofertë të bollshme nga ana e kompanive pjesëmarrëse. Oferta qe zakonisht 30-40% më e lartë sesa kërkesa e KESH. Gjatë viteve të fundit, tenderat e KESH zakonisht kanë dështuar për shkak të ofertës së pakët. Dështimi i tenderave është shoqëruar gjithmonë me blerje energjie me prokurim të drejtpërdrejtë. Në raste të ndryshme, prokurimi i drejtpërdrejtë ka shënuar çmime më të ulëta sesa tenderat.

Hije oligopoli

Shqipëria organizon tendera afatgjatë për blerje të energjisë elektrike, një metodë kjo që rezulton jo shumë efikase dhe që konsiderohet si e prapambetur në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Më herët, është vërejtur se ofertat që janë marrë në tender të hapur, kanë rezultuar dukshëm më të larta sesa çmimet e energjisë që KESH bleu në periudha krize me prokurim të drejtpërdrejtë. I njëjti fenomen u vërejt edhe dje. Ofertat me çmimet më të ulëta të hedhura nga “EGL” Zvicër, për Lotin e Tretë dhe “RE” Çeki, për Lotin e Dytë, qenë oferta në sasi shumë të vogël, zakonisht më të vogla se 1 milionë euro. Nga shtatë kompanitë që morën pjesë në tender, tre ishin zyrtarisht serbe, dy qenë kompani serbe të regjistruara në Zvicër, njëra çeke dhe një shqiptare. Kompanitë konkurruese nuk janë prodhuese të energjisë elektrike, por ndërmjetësuese. Askush nuk e ka të qartë se ku prodhohet energjia elektrike që ne konsumojmë aktualisht. Disa mendojnë se prodhohet në Bullgari, Rumani, Austri e Çeki. Rritja e tregut të importimit të energjisë elektrike rrezikon të shkaktojë presion negativ për moszhvillimin e kapaciteteve prodhuese në vend.

Tenderi i KESH, për gjashtëmujorin e dytë të vitit, synoi të blejë 77 milionë euro energji elektrike. Për të gjithë vitin 2008, importet e dritave pritet të jenë më të ulëta se në vitin 2007, por humbjet e KESH do të vijojnë të jenë në përmasa të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›