E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, PD bllokon Presidentin

Opozita kërkon me insistim kalimin në votim të fshehtë për dekretet e propozuara nga Bamir Topi si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, bëri publike konsideratat rreth qëndrimit të fundit të mazhorancës ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës. Sipas saj është i papranueshëm etiketimi i tyre si antikushtetues si një kërcënim të hapur për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve, si një kërcënim për demokracinë dhe shtetin ligjor. "Ky qëndrim është një shfaqje e re e konfliktit të vjetër të Kryeministrit Berisha dhe pasuesve të tij, qëndrim që ka ndodhur me çdo pushtet të pavarur në Shqipëri", tha Leskaj. Grupi parlamentar i socialistëve vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit gjyqësor, duke konfliktuar artificialisht institucionet. Leskaj konstatoi se këto pushtete janë të ndara në Kushtetutë siç janë të ndara dhe rolet mes Presidentit dhe Kuvendit në emërimet e gjyqësorit. Sipas kryetares së grupit, Kuvendi emëron ose jo dekretet e Presidentit të Republikës, po nuk mund të refuzojë dekretet, duke dhunuar rendin kushtetues dhe bllokuar Gjykatën e Lartë me mjete politike arkaike. "Gjykata e Lartë sot ka 7 vende bosh, për pasojë vendimmarrja e saj është e bllokuar", tha Leskaj. Ndërsa i bëri thirrje Kryeministrit dhe pasuesve të tij t‘i hapin rrugë logjikës kushtetuese dhe procesit demokratik. Ajo kërkoi futjen në procedurë votimi dhe natyrisht me votim të fshehtë të të gjitha dekreteve të paraqitura nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në të kundërt, paralajmëroi, vendi do të gjendet në një udhëkryq me një Gjykatë të Lartë të bllokuar e me një President të Republikës me autoritet kushtetues të cenuar. "Me këtë akt njolloset Kushtetuta, Kuvendi dhe fytyra e Shqipërisë në sytë e botës demokratike. Mazhoranca duhet të reflektojë për t‘ia kursyer këto probleme vendit", u shpreh Leskaj. E pyetur nëse socialistët kanë hequr dorë prej mocionit të shkarkimit të Kryeparlamentares Jozefina Topalli, Leskaj sqaroi se "nuk kemi hequr dorë nga mocioni për shkarkimin e kryetares. Siç e kam thënë edhe herë tjetër, ky është në proces vlerësimi". Ndërsa konfirmoi se opozita do të votojë pro dekreteve të Presidentit, do të insistojë me forcë dhe do kërkojë që dekretet të futen në procedurë sipas rregullores së Kuvendit dhe sipas të gjitha procedurave dhe ligjeve të shtetit. "Të futen me votim të fshehtë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk mund të futen në Kuvend raport-komisioni. në Kuvend duhet të futen dekretet e Presidentit për t‘u votuar", insistoi Leskaj. Duke vijuar me vlerësimin se mazhoranca, në rast se do t‘i rrëzojë, le t‘i rrëzojë në Kuvend. Duke paralajmëruar votën pro dekreteve dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, partia më e madhe e opozitës konfirmoi se nuk do të largohet nga salla. Ky qëndrim i socialistëve në mbështetje të kreut të shtetit është vënë re prej ditësh. Të majtët kanë akuzuar Kryeministrin dhe Kryeparlamentaren si shkaktarët e situatës së krijuar mes institucioneve të larta të shtetit.

Patozi: S‘ka arsye pse t‘i shqyrtojmë shpejt dekretet

Partia Demokratike vazhdon të mbajë në këmbë planin "surprizë" për dekretet e Presidentit për Gjykatën e lartë, i cili synon shqyrtimin në seancë plenare, vetëm kur lidershipi i selisë blu të jetë i sigurt që i ka 71 votat e duhura për të miratuar klauzolën e përgatitur në Komisionin e Ligjeve, ku thuhet se "Presidenti ka shkelur Kushtetutën". Vetë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke iu kundërvënë opozitës, ka qenë kundër shqyrtimit me urgjencë të dekreteve. Duke iu përgjigjur koleges socialiste, Leskaj, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se "nxitimi i grupit parlamentar të PS-së për t‘i pasur sa më parë në sallën e Kuvendit dekretet e Presidentit për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë shpjegon thelbin e interesit të opozitës, i cili nuk mund të jetë veçse politik".

Debati mes PS-së dhe PD-së ka të bëjë me dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, për emërimin e 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Nga njëra anë opozita kërkon që emrat e dekretuar nga Presidenti të paraqiten sa më parë për votim në seancë plenare, ndërkohë që mazhoranca kërkon të respektohet vendimi nr.2 i datës 18 janar 2005 i Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin dhe rolin e secilit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Pas deklaratës së bërë nga opozita, se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën me vendimin e marrë në Komisionin e Ligjeve, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai i ka vlerësuar si politike qëndrimet e opozitës në lidhje me pesë dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe kjo duket fare qartë sipas Patozit, te publikimi i votës pro tyre që ka bërë opozita dhe kërkesës që këto dekrete të futen sa më shpejt për votim në seancë. Patozi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e opozitës ndaj mazhorancës, duke theksuar se kjo e fundit nuk ka pasur kurrë për qëllim që të cenojë pavarësinë apo sovranitetin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Prej më se një muaji politika shqiptare është përfshirë në debate në lidhje me çështjen e dekreteve të Presidentit Topi, debate të cilat kanë arritur një pikë kulminante dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Gjatë diskutimit në komision, mazhoranca vendosi që në seancë të mos dërgojë për votim dekretet e Presidentit Topi, por kërkesën që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe procedurat ligjore, duke mos marrë më parë mendimin e Kuvendit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky veprim i mazhorancës shkaktoi mjaft reagime nga opozita në mbledhjen e komisionit të zhvilluar dy ditë më parë, ku u theksua se nëse Presidenti paska shkelur njëherë ligjin dhe Kushtetutën, tashmë mazhoranca po e shkel për herë të dytë, pasi nuk po dërgon për votim dekretet në Kuvend, ashtu siç e parashikon Kushtetuta. Mazhoranca kërkon që Presidenti të respektojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese të dalë më 18 janar 2005, ku sipas tyre ky vendim trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin dhe rolin e secilit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kryetarja e Kuvendit, pas tre javësh i ka depozituar ato në Komisionin e Ligjeve, i cili i ka marrë në shqyrtim dy ditë më parë. Pas këtij shqyrtimi, tashmë këto dekrete pritet të kalojnë në seancën parlamentare, por askush nuk saktëson nëse do të jenë për diskutim dhe miratim në seancën e sotme apo jo.

Vota

Të vegjlit, pro dekreteve të Topit

Partia Demokratike duket se është e vetme për sa i përket çështjes së pesë dekreteve të propozuara nga Presidenti Topi. Përveç opozitës, e cila është bashkuar duke deklaruar votën pro tyre, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe disa nga partitë e djathta. PBDNJ-ja është shprehur pro tyre, pasi i sheh propozimet në përputhje me Kushtetutën, po kështu pro këtyre dekreteve është shprehur edhe PDK-ja, e cila para pak ditësh e ka bërë qëndrimin publik nëpërmjet kryetarit të saj, Nard Ndoka. Pro këtyre dekreteve, por jo publikisht, është shprehur edhe grupi i mbështetësve të Topit që militojnë brenda radhëve të PD-së. Ndërkohë që republikanët kanë abstenuar, duke mos bërë publik qëndrimin e tyre. Frika e kombinimit të numrave ka shkaktuar një hezitim te PD-ja për t‘i dërguar këto dekrete ashtu siç janë për votim në Kuvend. Ndaj, në Komisionin e Ligjeve u përdor një tjetër strategji për të shmangur votimin e dekreteve emër për emër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›