Qeveria, 900 milionë lekë shtesë për Gërdecin
Qeveria ka miratuar dje një fond shtesë prej 900 milionë lekësh për kompensimin e banorëve të Manzës dhe Marikajt, të prekur nga tragjedia e Gërdecit. Ky vendim është bërë i ditur dje në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri Berisha, i cili ka diskutuar gjatë për punën e qeverisë dhe dhënien e këtij fondi, por nuk ka thënë asnjë fjalë për grevën e urisë që disa nga banorët e Gërdecit po bëjnë prej disa ditësh. Sipas Kryeministrit Berisha, qeveria e ka miratuar këtë fond për të kompensuar në mënyrë përfundimtare të gjitha dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i Gërdecit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha është shprehur se me këtë fond kompensohen edhe banorët e fshatrave të Manzës, Marikajt, si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur. "U bënë riverifikimet dhe rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, ndaj dhe sot vendosëm për fondin shtese prej 900 milionë lekësh, ku përfshihet biznesi, fshatrat e Manzës, Marikajt. Në tërësi këto ishin rivlerësime, ndërsa një pjesë e vogël janë vlerësime që shtrihen në Bashkinë e Manzës dhe Komunën Maminas. Pjesa tjetër janë kundërshtime të familjarëve që nuk kanë qenë të bindur për vlerësimin dhe është bërë rivlerësimi", është shprehur Kryeministri Berisha. Ky kompensim, ka theksuar ai më tej, bëhet pas vendimit të marrë nga qeveria për pagesën e qirave, banorëve që kanë mbetur të pastrehë nga ky aksident. "Pas qirave të ofruara për banorët e kësaj zone, po bëhet dhe kompensimi i tyre. Në atë zonë ndërtimi po vazhdon, ndërkohë që qeveria ka marrë të gjitha masat që këto 6 muaj që ata ndërtojnë shtëpitë, t‘u akordohet një qira prej 25 mijë lekësh në muaj, shumë kjo që i lejon të strehohen në çdo vend dhe në mënyrë të përshtatshme", është shprehur Kryeministri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Por pavarësisht deklarimeve dhe fondeve të herë pas hershme që ka nxjerrë qeveria për të prekurit nga tragjedia e Gërdecit, banorët e këtyre zonave duken të pakënaqur. Gjatë deklaratave të tyre nëpër media ata kanë shprehur se ndihen të harruar nga shteti, pasi një pjesë e tyre ende nuk kanë marrë paratë e premtuara nga qeveria dhe po sorollaten nga njëra derë në tjetrën të Bashkisë së Vorës. Kjo pakënaqësi ka ardhur duke u shtuar, pasi aktualisht disa nga banorët e Gërdecit janë futur në një grevë urie, me pretendimin se shteti nuk iu ka mbajtur premtimin, duke mos u dhënë paratë e shtëpive, ose një pjesë e tyre janë vlerësuar pak, nuk kanë marrë paratë e qerasë dhe nuk u janë llogaritur paratë e sigurimeve për punën që ata kanë bërë. Banorët e Gërdecit, të cilët po bëjnë gati një javë në grevë urie, nuk kanë pasur asnjë kontakt me asnjë përfaqësues të shtetit deri më tani, refuzim ky i cili i ka indinjuara më tepër. Po bëhen gati tre muaj nga tragjedia e Gërdecit dhe ende shteti nuk ka dhënë një shifër konkrete në lidhje me dëmet që janë shkaktuar nga kjo tragjedi. Kërkesë kjo që është përsëritur disa herë nga opozita në sallën e Kuvendit, por edhe nëpër konferencat për shtyp. Sipas opozitës, qeveria është e paaftë për të llogaritur dëmet e kësaj tragjedie, ku mbeten të vdekur 26 persona, u plagosën rreth 300 të tjerë dhe u dëmtuan me mijëra shtëpi dhe pasuri të banorëve të Gërdecit dhe të zonave përreth.