E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u jep katër kolonelëve gradën e lartë gjeneral brigade

Pak kohë pas tragjedisë së Gërdecit dhe shkarkimeve në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë, Presidenti Topi ka hedhur një hap tjetër, duke dekretuar katër kolonelë me gradën madhore gjeneral brigade. Në faqen zyrtare të Presidencës bëhet e ditur se këto dekrete janë nxjerrë në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 13, pika 5, të ligjit nr.9171, datë 22.01.2004 "Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", si dhe të nenit 7, pika 7, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar. Presidenti ka dekretuar dje kolonel Maksim Malaj me gradës madhore gjeneral brigade. Po kështu kolonel Viktor Bërdaj merr gradën madhore gjeneral brigade, kolonel Zyber Dushku merr gradën madhore gjeneral brigade, kolonel Vladimir Qiriazi merr gradën madhore gjeneral brigade. Propozimi për gradimin e këtyre kolonelëve është bërë nga ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa. Shtabi i Përgjithshëm, pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec, ka qenë në qendër të sulmeve politike, duke u akuzuar si i paaftë për të vepruar për parandalimin e kësaj tragjedie. Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, pas largimit nga detyra, ka akuzuar drejtpërdrejt Shtabin e Përgjithshëm si fajtor i tragjedisë, ndërkohë që ministri i ri i Mbrojtjes Oketa, pas marrjes së detyrës, ka deklaruar se për këtë tragjedi do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë pasur dijeni dhe nuk kanë vepruar për parandalimin e saj. Ardhja e Oketës në krye të Ministrisë së Mbrojtjes u shoqërua edhe me disa shkarkime të zyrtareve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu Oketa premtoi se do të behej një riorganizim i punës në ministri, por edhe në Shtabin e Përgjithshëm. Ky organizim duket se ka filluar nga gradimi i ushtarakëve të kësaj ministrie. Ndërkohë që ministri Oketa ka ulur debatin që lindi mes drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm pas tragjedisë së Gërdecit, duke urdhëruar funksionarët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm që të mos bënin asnjë deklaratë publike, pasi gjithçka ka ndodhur në Gërdec do të hetohet nga organi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo ndërhyrje shërbeu pozitivisht, pasi i dha fund një debati publik, por realisht nuk u shua debati brenda kësaj ministrie dhe hendeku i thellë që ishte krijuar mes civilëve drejtues në ministri dhe drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm. Këto akuza, edhe sot, pas tre muajve, ende nuk kanë reshtur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›