Dekretet, Ruçi: PD të ndalojë votimin e fshehtë

Ruçi i shkruan kryetares së Kuvendit për dekretet dhe përbërjen e këshillit të Rregullores
TIRANË - Partia Socialiste nuk është mjaftuar vetëm me denoncimin publik të asaj që përfaqësuesit e saj e konsideruan dje si dhunim të rregullores së Kuvendit. Nëpërmjet kryetarit të grupit të saj parlamentar, Gramoz Ruçi, selia rozë e ka konsideruar antidemokratik propozimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe heqjen e votës së fshehtë për rastet e votimit të dekreteve të kreut të shtetit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Duke marrë shkas pikërisht nga një nismë e tillë, Ruçi në cilësinë e kryetarit të grupit i ka nisur dje një letër zyrtare kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku ndërsa shprehte shqetësimin për shkeljen e rregullores për sa i përket mbledhjes dhe përbërjes së Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, ka kërkuar që të ndërpritet procedura e miratimit të amendamenteve të paraqitura deri në gjetjen e një konsensusi për çështjen e votimit, që do të përdoret për miratimin e dekreteve të presidentit për anëtarë të gjykatave.
"Propozimi në fjalë (sidomos fshirja e pikës 2 të nenit 58) i shpjeguar edhe në relacionin shoqërues, synon të eliminojë përfundimisht votimin e fshehtë në lidhje me dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për këto funksione kushtetuese.
Kjo përbën një devijim thelbësor të parimeve të gjithëpranuar, por edhe të sanksionuara në këtë rregullore (neni 60), sipas të cilës, votimi për personat është gjithmonë i fshehtë.
Dhunimi i këtij parimi synon ushtrimin e presionit ndaj deputetëve, për të imponuar një qëndrim politik në lidhje me emërimet e mundshme në organet kushtetuese", - thekson kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në letrën e vet.
Më tej, Ruçi shprehet në letrën e vet se një nismë e tillë kërkon të bëjë të mundur përsëritjen e të njëjtit skenar si me rrëzimin e kandidaturës për Gjykatën Kushtetuese, jo më në bazë të kritereve profesionale e ligjore, por, sipas tij, në bazë të urdhërimit politik të frymëzuar nga parime dhe ide që Gjykata Kushtetuese dhe mendimi i përparuar europian i konsideron të papranueshme për kohën dhe stadin e zhvillimit të Shqipërisë.
"Duke pasur frikë në mos kontrollin politik të votave të deputetëve tuaj në kohën që opozita është në Kuvend, ju sillni propozime të tilla thellësisht antidemokratike, që nuk ndihmojnë, por rrënojnë shtetin e së drejtës", - shprehet Ruçi në letrën e vet.
Duke e konsideruar në të njëjtën kohë edhe procedurën për paraqitjen e këtyre amendamenteve
si antiligjore, Ruçi i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit që të ndërpresë diskutimin e këtij amendamenti në mënyrë që ai t'i nënshtrohet një debati të gjerë, pa përjashtuar edhe mundësinë e diskutimit me partnerët e huaj. Gjithashtu, në këtë letër ai ka denoncuar edhe mënyrën e emërimit të anëtarëve dhe raportet e përfaqësimit të palëve në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.