Incidenti me flamurin, PE i kërkon ndjesë Shqipërisë
Drejtori i Protokollit të Parlamentit Europian, François Brunagel, i dërgoi dje një letër ambasadores së Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Mimoza Halimi, ku kërkohet ndjesë për vendosjen e flamurit të gabuar të Shqipërisë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel. “Në emrin tim dhe të Shërbimit të Protokollit të Parlamentit Europian, me sinqeritetin më të madh, dëshiroj të kërkoj ndjesë për çdo ofendim ose shqetësim të shkaktuar nga gabimi i rëndë, i vendosjes së flamurit të gabuar gjatë Takimit të Komitetit të Stabilizim – Asociimit ndërmjet Parlamentit Europian dhe Republikës së Shqipërisë më 15 Qershor”, thuhet në letër. Ne dëshirojmë të sigurojmë Shkëlqesinë Tuaj, thotë Brunagel, se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë lloj qëllimi për fyerje me dashje dhe se vendosja e flamurit të gabuar ishte një gabim për të cilin ne ndjejmë keqardhje. “Ne dëshirojmë të sigurojmë Shkëlqesinë Tuaj, se në të gjitha takimet dhe pritjet e tjera të mëparshme të këtij lloji është vendosur flamuri i duhur dhe ne ju garantojmë se ky gabim i madh nuk do të përsëritet më. Si unë dhe Shërbimi i Protokollit të Parlamentit Europian, dëshirojmë të përfitojmë nga ky rast, për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Tuaj dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, sigurimet e konsideratës tonë më të lartë”, përfundon letra e drejtorit të protokollit të Parlamentit Europian. Flamuri shqiptar me yllin pesë cepash, simbol i kohës së komunizmit, ishte para dy ditësh në sfond të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Media vuri re detajin në flamur, ndërsa 14 deputetët e Parlamentit të Shqipërisë nuk e kishin konstatuar për asnjë moment këtë element të çuditshëm.