Tatëpjeta e parapërgatitur
Të gjithë ekonomistët, apo thuajse të gjithë, i mëshojnë idesë se vija lakuese e “daljes paq” është në “ngjitje”. Shprehen kështu ngaqë bota perëndimore nuk pëson më rritje(në të gjitha kuptimet e kësaj fjale). Këtejpari, e vetmja rritje në rrafsh global ka bërë vaki një shekull më parë. Bëhet fjalë për rritjen e numrit të popullsisë. Sot jemi 7 miliard banorë, ndoshta do të mbërrijmë në 9 apo 10 miliard të tillë. Sa më shumë rritet popullsia e botës, aq më shumë rriten edhe problemet që “rritja” ekonomike duhej t’u jepte zgjidhje. Kjo problematikë tashmë mund të vlerësohet si “Depresioni i Madh”. Janë probleme qe recetat e ekonomistëve nuk duket mund t’u japin zgjidhje. Ndoshta për arsye se janë recetat ato që kanë gabuar diagnozën dhe terapinë prej gati një shekull më parë, këtyre anëve. Ngaqë për më shumë se gjysmë shekulli, këta soj ekonomistësh na kanë futur zekthin që të shpenzojmë më shumë se sa fitojmë, duke ngrehur kështu një rritje ekonomike që mbështetej te borxhet. Borxhi publik që na ka damkosur thuajse të gjithë (edhe pse disa më pak e disa të tjerë më shumë), lind pikërisht prej këtu: nga shteti që shpenzon e shkapërderdh, që investon më shumë se arkëton. Në SHBA, për dhjetëra vite në radhë, treguesi i një ekonomie që bën prokopi ka qenë “consumer confidence”, bindja e konsumatorit se mund të shpenzojë paratë që ka në mendje dhe jo ato që ka në xhep. Një tjetër problem i shoqërive me industri të përparuar, janë “makineritë” si shkaktaret e papunësisë. Sigurisht, në pikënisje krijojnë papunësinë për t’i hapur vend makinerive, por më pas, në një periudhë të mëtejshme, çështja bitiset me makineritë që punojnë për njeriun, të cilit i zënë vendin. Kjo problematikë është mjegulluar nga teoria (thellësisht sociologjike) që shoqëria post-industriale ishte, dhe duhet të jetë, një “shoqëri shërbimesh”. Sigurisht, kjo teori është pjesërisht e saktë. Por nga ana tjetër, “shoqëria e shërbimeve” u bë e tepërt dhe paralitike, ngaqë shërbente thjesht për të mbushur gropat e shkaktuara nga papunësia në rritje. Jugu i Italisë është shembull i mahnitshëm i politikës që shndërrohet në mjet të punësimit publik. Sistemi që jam duke marrë në shqyrtim ishte taksur për t’u shembur. Në fakt, është duke u shembur. Globalizmi e rëndoi edhe më shumë situatën. Në vitin 1993 shkruaja që përmes një barabitjeje teknologjike, vendet e varfra me krah të lirë pune ishin të prirura t’u merrnin punët e krahut vendeve më të pasura. Sakaq, ekonomistët e patën ngritur në qiell globalizmin që krijonte zgjerim të tregut dhe rritje të shitjeve. Kështu përfunduam në pikën që, tani për tani, Kina është shndërruar në kasafortën ku kyçen borxhet publike amerikane, ndërkohë që janë kinezët ata që eksportojnë më shumë se ne perëndimorët. Pastaj vijnë edhe keqveprimet e bankierëve dhe kokëshkrepjet e tyre në shpërdorimin e parave të të tjerëve. Ata kanë rritur veprimtarinë e “kredive të rrezikshme”, domethënë pamjaftueshmërisht të garantuara. E më pas iu drejtuan manovrave të tjera, një djallëzi kjo që u shkrepi në mend dy matematikanëve që as bankierët dhe as ekonomistët e tyre nuk ua priti mendja se ku do të dilnin. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ishin aq të aftë për ta zhytur botën mbarë në një qerthull të rrezikshëm e pa shtegdalje. Përtej kësaj, sot vëmë re se kemi shpenzuar burimet për të nxitur mëkëmbje apo rritje, pa nisur më parë që ekonomia jonë të “ristartojë”, të mëkëmbet. Edhe lokomotiva gjermane duket se po ndalet, papunësia në radhët e të rinjve është e lartë dhe e shtrirë tejendanë, e që nuk duket se do të mëkëmbet nga trupa e burokratëve që po lëngon nga obeziteti. Vërtet që në Itali duhet të tkurret patjetër e në mënyrë të prerë defiçiti që vijon të ushqejë njërin prej borxheve publike më të larta në botë. Por fillimisht duhet thënë e vërteta. E vërteta cullak. Ashtu siç u shpreh me vend edhe presidenti Napolitano: “Shumica qeverisëse ka mbajtur të fshehur peshën reale të krizës”. Berluskoni është i zoti, mjaft i zoti, si vegimtar. Na mbetet vetëm të vërejmë nëse është i zoti edhe për ta parë në sy e për ta thënë me gojë, të vërtetën nudo.
...