Del Bosque, selektori më i mirë i vitit
Vicente del Bosque është selektori më i mirë i vitit 2010. Kështu ka vendosur Instituti Ndërkombëtar për Histori dhe Statistika të Futbollit (IFFHS), i cili e publikoi të enjten listën e trajnerëve më të mirë të përfaqësueseve për vitin që e lamë pas.
Trajneri spanjoll e mori këtë shpërblim me meritë, pasi në Afrikën e Jugut e shpalli Spanjën kampione të botës për herë të parë në histori të këtij vendi. Ish trajneri i Real Madridit e kishte marrë këtë epitet edhe vitin e kaluar. Ai mori 71 vota.
Ndërkaq, pozita e dytë i takoi selektorit të Gjermanisë, Joachim Loew, ekipi i të cilit u shqua me lojë të bukur dhe ofanzive në Botërorin e fundit, duke arritur deri në gjysmëfinale.
Dy gjysmëfinalistët tjerë të Botërorit 2010, holandezi Bert van Marwijk (ekipi i tij u shpall nënkampion i këtij evenimenti) dhe uruguaiani Oscar Tabarez e kompletuan top 4 të selektorëve më të mirë.