E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet për Botëror

Mungon vetëm zyrtarizimi, por Ronaldinho dhe Milan janë ndarë përfundimisht. Mesfushori ofanziv do ta vazhdojë karrierën në Brazil, pasi synon të luajë vazhdimisht për ta fituar një vend në Kombëtare në botërorin Brazili 2014. Ai mund t’i bashkohet Gremios, por interesim për 30 vjeçarin kanë shprehur edhe Flamengo e Palmeiras. Nga Express më 07 janar 2011 në ora 10:51

Ronaldinho dhe Milan janë ndarë përfundimisht, edhe pse mungon vetëm zyrtarizimi. Futbollisti brazilian është takuar në Brazil me zëvendës presidentin e Rossonerëve, Adriano Galliani. Pas takimit në mes të palëve, Ronaldinho dhe Galliani kanë mbajtur një konferencë për shtyp, ku kanë shpalosur qëndrimet e tyre.

“Ndihem si pjesë e familjes Rossonere, të gjithë jemi dakord për ndarjen. Jam i kënaqur me interesimin e Gremios. Arsyeja pse kam vendosur të kthehem për të luajtur në Brazil është sepse dëshiroj të rikthehem rregullisht në Kombëtare për të luajtur në botërorin Brazili 2014”, deklaroi Ronaldinho.

“Pas shumë vitesh në Evropë, dëshiroja të rikthehesha në Brazil sepse këtu mbahet Botërori pas tri vjetësh. Kam biseduar me Gallianin dhe klubi Rossoner e ka pranuar vendimin tim”, shtoi braziliani, i cili ndihet i lumtur që u kthye në vendlindje.

Ai ndihet ende lojtar i rëndësishëm dhe vlerat e tij synon t’i shfaqë në vendin jug-amerikan. 30 vjeçari tregon se vendimin e kishte marrë të largohej pasi nga Milani iku Leonardo, pasi që më pas ndryshoi moduli i lojës së këtij ekipi.

Ndërkohë, vëllai dhe menaxheri i futbollistit, Roberto de Assis ka konfirmuar se është në bisedime me klubet braziliane Flamengo, Gremio e Palmeiras, por që ende asgjë nuk është qartësuar rreth së ardhmes së ‘Dinhos’.

Ndërkohë, Galliani ka thënë se largimi i Ronaldinhos do t’i ‘dhemb’ më së shumti presidentit të klubit, Silvio Berlusconi. Zëvendëspresidenti i Rossonerëve ka shtuar se Milani do të mundohet ta ndihmojë Ronaldinhon që ta gjejë zgjedhjen më të mirë.

“Raporti me lojtarin dhe me menaxherin e tij është i shkëlqyeshëm. Ne u pajtuam me dëshirën e Ronaldinhos për t’u larguar. Jemi duke biseduar rreth kartonit të futbollistit. Transferimi i tij në një klub tjetër do të konkretizohet vetëm kur të gjitha palët të arrijnë marrëveshje”, deklaroi Galliani.

Kështu, Ronaldinho largohet nga Milan pas dy vjetësh e gjysmë. Ai ishte transferuar në San Siro nga Barcelona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›