E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero-Trezege synojnë triumfin në çift

Pasi kanë siguruar Ligën e Kampioneve, Alesandro Del Piero dhe David Trezege zbulojnë dëshirën në prag të 90-minutave të fundit të kampionatit: të fitojnë së bashku titullin si golashënuesit më të mirë. Francezi e ka fituar këtë trofe në vitin 2002 (24 gola, po aq sa edhe Hubner), ndërsa Del Piero është ngjitur në shkallën më të lartë gjatë sezonit të kaluar (me 20 gola), por Serinë B. Kjo është arsyeja e vetme përse skuadra duhet të motivohet për takimin e së dielës me Sampdorian, pasi përkrah dy lojtarëve bardhezinj, në kuotën e 19 rrjetave të realizuara qëndron edhe Borrielo. Në prag të ndeshjes, "binjakët e golit" kanë lëshuar deklarata "fair-play". "Shpresojmë që këtë klasifikim ta fitojmë së bashku, do të ishte diçka shumë e bukur, një falënderim i drejtë për shokët dhe lojën e skuadrës", komentoi Del Piero. Ndërsa pak më parë Trezege kishte thënë: "Nuk shqetësohem shumë. Del Piero e Borrielo kanë qenë protagonistë të një kampionati të jashtëzakonshëm, e të tre dëshirojmë ta fitojmë këtë çmim. Ale ka treguar se vazhdon të jetë mes lojtarëve më të mirë në botë". Nëse dy sulmuesit bardhezi do ta fitonin së bashku "Këpucën e Artë", ata do të vendosnin një rekord absolut në Serinë A: asnjëherë dy shokë skuadre nuk janë shpallur njëkohësisht golashënuesit më të mirë dhe kjo është hera e parë që dy lojtarë, të cilët mbrojnë të njëjtat ngjyra, kanë shifra të barabarta golash të shënuar kur duhen 90 minuta nga mbyllja e sezonit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›