25 milionë euro oferta e fundit për Ronaldinjon
Milani ka bërë ofertën e fundit për Ronaldinjon: 25 milionë euro. Barcelona po mendohet dhe sipas të gjitha gjasave, pasi të marrë në shqyrtim situatën, do të përgjigjet pozitivisht. Sipas të përditshmes katalane, "Sport", arritja e marrëveshjes mes dy klubeve është vetëm çështje ditësh. Në fakt, "blaugranat" pretendojnë të përfitojnë 30 milionë euro nga shitja e numrit 10. Shifër që Mançester Siti duket i gatshëm ta paguajë, ndërsa Milani jo. Oferta e fundit e klubit në rrugën "Turati" u është paraqitur drejtuesve të Barçës dhe ajo nuk lëviz asnjë qindarkë më shumë nga 25 milionë euro. Por, edhe pse janë të gatshëm të paguajnë më shumë, anglezët mund të cilësohen jashtë garës për brazilianin. Gjithçka sipas vullnetit të vetë Ronaldinjos, që dëshiron vetëm kuqezinjtë si destinacionin e tij në rast të largimit nga "Kamp Nou". Në të kundërt, mesfushori është i gatshëm që të qëndrojë në Spanjë edhe për dy vitet e ardhshme, me fjalë të tjera, deri në përfundim të kontratës. Kjo është arsyeja përse presidentit Johan Laporta nuk i mbetet asnjë alternativë tjetër, përveçse të gjejë gjuhën e përbashkët me zv/presidentin e Milanit, Galiani. Sipas "Sport", mungesa e interesimit që milanistët kanë treguar së fundmi ndaj Ronaldinjos (Berluskoni: "Për afrimin e Ronaldinjos kam pasur gjithmonë dyshime, por tashmë mendoj se nuk na nevojitet më"), ka qenë vetëm një strategji merkatoje. Në të vërtetë, klubi kampion bote e dëshiron fantazistin, por duket se për ta afruar në "San Siro" nuk mjaftojnë vetëm fjalët nëpër gazeta. Sipas zërave nga Gadishulli Iberik, javën e ardhshme, Galiani ka programuar një udhëtim në Barcelonë: udhëtim gjatë të cilit pritet akordi ndërmjet palëve, pasi kërkesa dhe oferta nuk qëndrojnë edhe aq larg. Milani i ka ofruar yllit brazilian katër vjet kontratë me rrogë 9 milionë euro (neto) në sezon. Në këtë shifër janë parashikuar paratë që Dinjo do të humbiste nga sponsori i tij kryesor, "Nike", pasi në rast të kalimit te Milani (skuadra furnizohet nga "Adidas"), kjo duket e paevitueshme. Me transferimin në Serinë A, ai kërkon jo vetëm rikthimin si një prej lojtarëve më të mirë në botë, por edhe besimin e teknikut Dunga për një vend në Kombëtare.