E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte: Nuk jam e befasuar me vendimin

(E plotësuar) Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, ka deklaruar se nuk është e befasuar me vendimin e sotëm për lirimin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, por me faktin se ka qenë vështirë të mblidhen dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës.

“Hetimi i Ramush Haradinajt ka qenë i vështirë. nuk kishte bashkëpunim me Kosovën, kështu që ka qenë shumë e vështirë të mblidhen dëshmitë e mjaftueshme për të ngritur aktakuzën”, i ka thënë Del Ponte agjencisë serbe të lajmeve Tanjug.

Sipas saj edhe kur janë mbledhur dëshmitë, dëshmitarët i ndryshonin deklaratat e tyre.

Për këtë arsye Prokuroria kishte iniciuar rast të ri, por edhe kësaj radhe kishin hasur në problemet e njëjta.

Ajo nuk ka komentuar por ka qeshur me kërkesën e avokatit të Haradinajt, Ben Emerson që t’i kërkoi falje publike të akuzuarve dhe popullit të Kosovës.

---

Avokati i Ramush Haradinajt, Ben Emerson i ka bërë ftesë ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte t’i kërkoi falje tre të akuzuarve dhe popullit të Kosovës.

Ai konsideron se këtë duhet ta bëjë për shkak të ngritjes së aktakuzës kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.

Emerson paralajmëroj se klienti i tij do të vazhdoi të kryej funksionin të cilin e kishte para se të fillonte gjykimi i tij/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›