Ministrja e Jashtme e Zvicres refuzon cmimin Diaspora nga Ambasada e Kosoves
Duke raportuar lidhur me aferën më të re "Marty", disa media zvicerane i kanë marrë mendime edhe të ngarkuarit të Hashim Thaçit në Zvicër, Naim Malaj. Në kuadër të një sërë shkrimesh botuar dje nga e përditshmja “Le Matin”, gazeta “Blick” dhe gazeta të tjera në Zvicër, citohet Naim Malaj, i cili përgënjeshtron akuzat e hetuesit të Këshillit të Europës, Dik Marti. "Nuk ka aspak dëshmi. UÇK nuk ka pasur fare aparatura për ndërhyrje të tilla si marrje organesh". Sipas tij, “Marti ka rënë në grackën e propagandës serbe...”.
Në një prononcim tjetër të dhënë televizionit publik zviceran, në emisionin "Tagesschau", Malaj veç të tjerash ka thënë se "jo vetëm ish-UÇK-ja në kohën e saj, por as spitalet e Tiranës dhe të Prishtinës nuk kanë disponuar mjete që nevojiten për nxjerrjen dhe transportimin e organeve të njeriut, për t’i tregtuar ato. Ne po presim dëshmitë e Dik Martit, të cilat do të tregonin se si ka ndodhur e gjithë kjo. Por jo duke u bazuar në thënie dëshmitarësh anonimë dhe thashetheme", ka thënë ambasadori i Kosovës në Zvicër.
Ndërkaq, për lajmin më të ri për mospranimin e çmimit "Diaspora" dedikuar shefes së diplomacisë zvicerane, znj. Mishelinë Kalmi-Rej më 21 dhjetor, Naim Malaj i ka thënë agjencisë së lajmeve “SDA” se nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për anulim.
Zyrtarë nga kabineti i shefes së diplomacisë zvicerane, duke mos komentuar, i kanë deklaruar gazetës “Shqip” se “Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka anuluar pranimin e çmimit ‘Diaspora’ më 21 dhjetor, për znj. Mishelinë Kalmi-Rej nga Naim Malaj...”, siç kishte paralajmëruar ambasada e Kosovës në Bernë. Ndërsa një burim tjetër nga Berna na ka deklaruar se refuzimi i këtij çmimi nuk ka lidhje me aferën "Dik Marti", por ishte krijuar eufori dhe propagandë e tepruar rreth këtij çmimi nga disa media.
Sido që të jetë, Malaj për mediat zvicerane ka deklaruar se “Kalmy Rej nuk e ka refuzuar çmimin, por do ta marrë atë në një kohë të mëvonshme...”.