Mero Baze: Berisha, i pafuqishëm brenda “Familjes”
Edhe kundërshtarët e tij më të flaktë (sidomos ata), ia njihnin një meritë: Ishte ndër gazetarët e paktë të djathtë, në mos i vetmi, shkrimet therëse të të cilit, gjuha e mprehtë dhe e hidhur, konsekuenca në qëndrimet pro opozitës së PD dhe kryetarit të saj Berisha, paralelisht me akuzat e përditshme ndaj korrupsionit socialist në pushtet; të gjitha këto, i jepnin oksigjen të çmuar opozitës së djathtë. Kundërshtarët, miqtë dhe armiqtë kanë ndryshuar, por këto cilësi ia njohin akoma më shumë. Sot, gazeta e tij, “TemA”, operon në kushte gati prej ilegalësh, që të kujtojnë samizdat-et klandestine sovjetike që flisnin kundër pushtetit; makina e tij përfundoi në flakë; ndërsa armiqve të dikurshëm iu desh goxha kohë të marrin veten nga “hataja” e të paktën dy viteve të fundit: Mero Baze, kundërshtar i betuar i kryeministrit Berisha! I parë me skepticizëm dhe çudi ose jo, kjo pak rëndësi ka. Ditë pas dite publiku është njohur me qëndrimet e tij ndaj aferave qeveritare, më saktë me kontributin në zbulimin e tyre, jo vetëm me editorialet e “TemA”-s, por së fundi edhe përmes ekranit në televizionin “Vizion Plus”. Në këtë intervistë, Mero Bazes i bëhen disa pyetje që me siguri nuk e shuajnë dot kuriozitetin e publikut, përkundrazi. Por e rëndësishme është që lexuesi merr disa përgjigje, në po atë stil që është mësuar të hasë tek ai: Të drejtpërdrejtë
Zoti Baze, ta nisim nga fundi: Ku punojnë tani gazetarët e “TemA”-s dhe ju për të nxjerrë gazetën?
Është një histori e pabesueshme se si mundet që të dalë një version i kufizuar i gazetës me 16 faqe. Unë punoj në një apartament privat afër “Vizion Plus”-it, pesë redaktorët kryesorë dhe faqosësi kanë gjetur një mjedis 20 metra katrorë që ua ka ofruar një biznesmen në një tavolinë të përbashkët, ndërsa reporterët punojnë kryesisht online nga internet kafetë apo laptopët e tyre. Është një situatë e papërsëritshme gati në kushte lufte, vetëm që gazeta të mos ndërpritet. Shtypja e saj bëhet në një shtypshkronjë tjetër në Tiranë, si gjithë gazetat e tjera. Por kompania ka bllokuar nga ana tjetër aktivitetin, pasi nuk kemi mundësi të veprojmë financiarisht. Kemi të bllokuara faturat tatimore, vulat, çeqet bankare, dhe deklarimet e TVSH. Kemi çuar një deklaratë në Tatime që deklarojmë ngrirjen e biznesit dhe kalimin në status joaktiv, derisa të normalizohet situata. Pastaj do të deklarojmë shpenzimet e bëra për gazetën ose do të hapim shoqëri të re.
Prej vitesh tashmë jeni vetidentifikuar në shumë raste si gazetar pro të djathtës. Si ndodhi ky afrim? Me çfarë motivimesh? Historia e freskët e pluralizmit ofron shembuj se, të kesh punuar dikur te RD, nuk domethënë të mbetesh i djathtë...
Le ta nisim nga fundi. Nuk kam punuar kurrë te RD, por i përkas studentëve të viteve ‘90 dhe kam qenë i përfshirë që në fillim me ndryshimet politike në Shqipëri. Kam qenë pjesë e atyre që mund të quhen nismëtarë të themelimit të PD. Të vetmin kujtim që mbaj nga ajo jetë e shkurtër politike dy-tremujore, është një vërtetim me makinë shkrimi që ma ka dhënë Azem Hajdari, ku më autorizonte të shkoja të themeloja degën e PD në Burrel, ngaqë më kishin emëruar aty, sa mbarova fakultetin. Pra, ishte një lidhje normale, ku dominonin emocionet antikomuniste.
Keni mbështetur PD që në fillim, por duhet nënvizuar se i keni qëndruar pranë kryetarit të saj, Berisha, edhe në momentet më të vështira, pas vitit 1997 e në vijimësi, kur ai identifikohej si shkatërruesi i demokracisë dhe i vendit. Pse? Ju e njihnit nga afër: Mos nuk e shihnit si fajtor për shumë nga akuzat që i atribuoheshin tij?
Historia e vitit 1997 nuk duhet aq bardhezi. Siç e ka pas thënë në atë kohë kancelari Vranicki, nuk dihej cilët ishin djajtë dhe cilët ishin engjëjt në atë kohë. Mbështetja ime për Berishën në vitin 1997 ishte instiktive dhe e sinqertë. Në atë kohë, të zgjidhja Berishën ishte njësoj sikur të zgjidhja vetë një jetë me probleme. Ka pasur disa arsye. Arsyeja e parë ishte se degradimi i situatës radikalizoi shoqërinë dhe përballë tij nuk pati politikë dhe politikanë, por banda, të cilat ringjallën komunistët fanatikë. Ishte ende herët për të harruar komunizmin dhe, kur shikoje margjinalizimin e politikës së moderuar të PS dhe ringjalljen e falangave, natyrisht që duhet të mbaje një qëndrim. PS e vitit 1997 ishte inaktive. Fatos Nano ishte në burg, Rexhep Meidani, Pandeli Majko dhe të tjerë në krye të saj ishin të moderuar dhe jo-aktivë. Berisha është politikan i aftë. Ai e radikalizoi situatën që njerëzit të kishin sa më pak zgjedhje, të zgjidhnin mes tij dhe një pale të armatosur dhe të frikshme në të papriturat që mund t’i sillte vendit. Po të isha pak i majtë, natyrisht do kisha menduar gjatë me kë do isha, por duke qenë ky që jam, s’kisha asnjë hezitim se Berisha duhej mbështetur në atë krizë, për të qenë faktor frenues i revanshit me të cilin po marshonin kundërshtarët e tij.
Ju kanë pyetur në një intervistë më të hershme për rolin tuaj si njeriu me të cilin Berisha këshillohej më shpesh, dhe keni thënë se ai nuk merrte këshilla nga askush. Si e portretizoni sot Berishën e opozitës?
I qëndroj vlerësimit se Berisha ka këshilltar vetëm Sali Berishën. Kjo nuk e përjashton mundësinë e ndikimit të të tjerëve te Berisha, por ky është një proces tjetër, i gjatë, psikologjik dhe shumë njerëzor. Kurse këshilla të drejtpërdrejta askush nuk i jep. Ai dëgjon, bisedon, rri me njerëz të afërt dhe pastaj nën ndikimin e tyre edhe mund të veprojë, por kurrë në emër të këshillave të tyre. Kjo ndodh me njerëz që ai i ka të afërt, por jo në parti. Me njerëzit e partisë dhe të qeverisë as rri, as bisedon dhe as i dëgjon. Miqtë e tij privatë dhe në mungesë të tyre tani, familja është ajo që ndikon në vendimet e tij.
Keni kandiduar në zgjedhjet parlamentare 2001 për PD. Ishte shpërblim për mbështetjen? Kishit shpresa se do fitonit? Çfarë ndodhi?
Të kandidoje më 2001 për opozitën e atëhershme nuk ishte shpërblim, por sakrificë. Mbaj mend se ishte këmbëngulje e Sali Berishës pas një takimi me intelektualë, në shkurt të vitit 2001, ku unë fola dhe kritikova për herë të parë antiopozitarizmin si fenomen në politikën e asaj kohe. Ishte koha kur shkëlqente si opozitë e emëruar Genc Pollo. Nën kujdesin e kryeministrit, Ilir Meta, Genc Pollo i kishte marrë PD edhe siglën, edhe privilegjet e një partie opozitare të emëruar nga pushteti. Dhe tezat e mia për partitë antiopozitare, medien antiopozitare, luajtën shumë rol për ta demontuar strukturën e një opozite false që donte të zëvendësonte opozitën e vërtetë. Është një betejë që zoti Pollo nuk ma fal as sot që buzëqesh i lumtur në krah të Berishës. Por dua të theksoj se ato ishin ndoshta zgjedhjet më të këqija të pranuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ishin zgjedhje ku policia përmbysi kuti dhe rezultate nga e para. Unë i braktisa në mesditë, pasi policia mbushi kutitë që në mëngjes duke mos lënë asnjë votë për mua, edhe pse kandidoja në një zonë ku PD kishte fituar në zgjedhjet lokale një vit më parë. Dhe ajo që më tronditi më shumë atëherë, ishte dhe blerja e lehtë e opozitës prej strukturave mafioze. Komisionarët e mi rezistuan thuajse si heronj, megjithëse u rrahën dhe u morën në furgonë policie, kurse strukturat e partisë, në shumicë bënë pazare. Dhe kjo është një histori e hidhur që vjen nga arroganca e një pushteti që do të qëndrojë me dhunë.
Është një histori që nuk besoj se përsëritet më.
Cilësia e dyshimtë e këtyre zgjedhjeve ishte fillimi i ringjalljes politike të Berishës, sepse pushtetit të majtë iu desh të negocionte me të për Presidentin e Republikës. A keni ndihmuar ju në këtë ringjallje?
Nuk ishte cilësi e dyshimtë. Ishin zgjedhje të vjedhura. Berisha mund të mos ishte fitues i tyre, por rezultati ishte shumë i ngushtë. Berisha ka marrë më shumë vota më 2001 se më 2005. Berishës i ka dhënë më shumë vota politika e qartë radikale sesa truket elektorale të 2005. Në qoftë se Fehmi Abdiu nuk do të anulonte 40 mandate kundër opozitës, situata do të ishte krejt ndryshe dhe diferenca mund të varej në katër-pesë deputetë. Socialistët kurrsesi nuk mund të merrnin ato vota që certifikuan me Gjykatën Kushtetuese.
Kronologjikisht, kur ndodhi krisja e besimit tuaj ndaj kryeministrit Berisha? Kur ai takoi paraardhësin Nano në Pallatin e Brigadave, ndërsa politika diskutonte kushtet e zgjedhjeve lokale? Kur nisët kritikat në gazetë ndaj zyrtarëve të qeverisë, ministrit Pollo apo kreut të ISKSH?
Dyshimet nisën bashkë me pushtetin e tij, por në kujtesën e shumë njerëzve ka mbetur sulmi im ndaj mbesës së Liri Berishës dhe më pas qëndrimet e mia denoncuese për Gërdecin apo Fazlliçin. Në të vërtetë, nëse e dëgjoni Berishën, ai është më i sinqertë. Ai përmend 2005 dhe jo vitet 2007 apo 2008. Dhe e di ai vetë pse e përmend. Unë kisha një kontratë morale me ish-opozitën, pasi isha thuajse i vetëm krah saj dhe shpeshherë mbajtësi gjallë i frymës së saj. Ardhja e Berishës në pushtet e prishi këtë raport. Krisja e parë besoj ka ndodhur javën e dytë të Berishës në pushtet. Ishte përplasja ime e parë me familjen e tij tashmë në pushtet. Ai kishte emëruar si zëvendësministër të Brendshëm një njeri të afërt me fisin e gruas, që i kishte falur apartamentin. Unë u tmerrova. I pari ma tregoi me shqetësim një bodyguard i Berishës që më vonë u bë polic i rëndësishëm. Më tha se kishte parë shkresën. Realisht pësova një lloj mpirjeje, sikur m’u ftoh diçka brenda vetes. Fillova ta justifikoj me vete ndoshta si njeri që nuk e njeh. Dhe bëhej fjalë për një njeri që kishte ndërtuar pallate në mes të Tiranës në kohën e Edi Ramës, duke i çuar thasët me pará te sekserët e lejeve në bashki. Ishte një turp emërimi i tij. Dhe e mora në telefon në mesnatë. I thashë se, nëse kjo do të ndodhte, gazetat, përfshi dhe timen, do të hapeshin me titullin “Njeriu që i ka falur shtëpi Berishës, emërohet zëvendësministër”.
“Ti po më kërcënon?”- tha. “Kush të tha që e kam emëruar?” Në fakt, nuk dija ç’emër t’i thosha dhe thashë e ka shkrim nesër “Zëri i Popullit”. Dhe nëse është e vërtetë, dhe unë do ta shkruaj si Erion Braçe. Filloi të justifikohej. Më tha: “Nuk është e vërtetë që është aksioner, është administrator tek ajo firmë”. I thashë se askush nuk e kupton këtë. Duhet të mos emërohet. Dhe e mbyllëm bisedën nervozë. Ai mori prapë rreth orës 2 të natës dhe tha se nuk është e vërtetë që ai është emëruar.
“Dikush ka sjellë një propozim, por unë nuk e emëroj. Por kam problem, - më tha, - se nuk pranon Gjergj Lezhja të emërohet”.
U gëzova që përmendi emrin e tij. Të nesërmen fola që në mëngjes me Lezhjan, pashë që s’kishte asnjë hezitim. Por, megjithëse u shmang nga zëvendësministër, i njëjti person u emërua në një post edhe më kyç, por jo publik në ministri. E kuptova se familja, dhe sidomos vajza dhe gruaja që kishin ofruar atë emër, nuk ma falën kurrë.
Një javë më vonë drejtori i Shtypit i kryeministrit kishte shpërndarë një qarkore për institucionet, ku rekomandonte që gazetat të trajtoheshin për reklamë sipas një renditjeje që ua ofronte ai, dhe ku gazeta “TemA” ishte thuajse jashtë liste. Ia thashë i revoltuar këtë, por e pashë që nuk i bëri përshtypje. E pashë që nuk ma kishte falur as ai, as familja. Dhe vendosa për një moment ta ndaj historinë me ta.
Nxora gazetën në shitje dhe për një kohë vendosa të qëndroj larg politikës së tij.
Zoti Baze, ndërkaq në xhunglën e folkut urban të Tiranës ekzistojnë të paktën dy opinione mbi prishjen tuaj me Berishën, dhe do ishte interesante të merrnin një përgjigje. I pari thotë se ju mbetët i pakënaqur që kontributi juaj për rikthimin në pushtet të PD nuk u shpërblye me pjesëmarrje në menaxhimin material të këtij pushteti. Sipas të dytit, me gjithë përkushtimin tuaj të sinqertë djathtas, kryeministri preferoi të afrohej me interlokutorë të tjerë mediatikë, ndoshta të konsideruar si më të vlefshëm...
Nuk është as njëra, as tjetra. Unë nuk kërkoja asgjë nga pushteti i Berishës. Asnjë gjë. Le të dalë dikush dhe të thotë që Mero Baze ka kërkuar diçka. Përkundrazi, shumë njerëz që janë në pushtet, janë për shkakun tim apo lidhjeve me mua. As e dyta nuk qëndron, megjithëse dikush kërkon të mburret me këtë gjë. Berisha nuk bën sakrifica për gjëra që i merr falas. Dhe mbështetjen e klanit mediatik që ju thoni, ai e ka falas nga zakoni i vetë atij klani mediatik për t’iu servilosur pushteteve.
Siç thotë dhe Berisha, u ndava prej tij më 2005, por ndarja u bë e dukshme dy vjet më vonë, pas zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale të 2007, për shkak të kandidimit të Olldashit, e fshehën çarjen në opinion, pasi unë mbështeta një ish-mikun tim të
vjetër dhe dukej se isha me Berishën. Në fakt, PD ishte kundër Olldashit, kurse Berisha - soditës i kësaj armiqësie.
Politikani Sali Berisha ka qenë dy herë në pushtet. Në të dyja herët qeverisja e tij është shoqëruar me probleme, veç të tjerash edhe sa i përket sjelljes ndaj medieve kritike ndaj tij. Ku dallon Berisha i djeshëm nga i sotmi?
Berisha ka një sjellje spekulative ndaj medies. Nuk e ka aq bardhezi, d.m.th., që ata që e shajnë i sulmon dhe ata që e mburrin, i do. Jo, ai zgjedh nga të dy anët, zgjedh dikë për ta dashur nga ata që e duan, dhe dikë për ta urryer nga ata që e urrejnë. Ecën përmes shembujve, nuk ecën në bllok. Mua p.sh., më ka zgjedhur si shembull ndëshkimi tani, dhe kështu tremb të tjerët. Gazetën “55” ose Frangajn p.sh., e ka zgjedhur si shembull shpërblimi dhe u ka dhënë nja 130 milionë euro tenderë, leje për fshatra turistikë, leje brenda Tiranës me ndryshim destinacioni etj. Kështu që nuk duhet marrë aq lehtë.
A i konsideroni ndonjë arritje kësaj qeverie? Ndonjë ministri? Ndonjë fushe?
Po. Konsideroj disa përpjekje serioze për vendosjen e rendit në Shqipëri. Konsideroj faktin që policia tenton të ruajë profesionalizmin deri në njëfarë kufiri ku ndërhyn politika, konsideroj sukses disa reforma të nxitura nga qeveria amerikane lidhur me regjistrimin e biznesit, përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël, taksën e sheshtë etj. Ka ministra seriozë, edhe pse të politizuar, siç është ministri Bode, zëvendësministri Shehu, ministri Gjana, dhe deri në njëfarë mase dhe zonja Bregu.
Kryetari i PS, Edi Rama, shprehu solidarizimin me ju këtë javë, pa harruar “t’ju bëjë biografinë” dhe ju dhatë përgjigje në gazetë. Në fakt, edhe Ramën e keni kritikuar në shumë momente të tijat opozitare. A e shihni atë të përgatitur për kryeministër të 2009? Cilat janë shanset për këtë, sipas jush?
Ramën e kam kritikuar, madje e kam sulmuar, jo si opozitar por si pushtetar. Nuk do të gjeni asnjë shkrim timin nga viti 2005, që kur ai është bërë kryetar i PS, që ta sulmoj si politikan opozitar. E kam princip timin që opozitën nuk e kritikoj kurrë. Kemi vuajtur gjatë nga antiopozitarizmi në këtë vend. E kam paralajmëruar në një debat televiziv që më 2005 zotin Rama, se “ke për të vuajtur nga një shoqëri antiopozitare”. Dhe nuk është se nuk po e vuan indiferencën që mbjell në shoqëri antiopozitarizmi. Është një fenomen tinëzar, që shpërndahet në formë gojëdhëne, për gjoja opozitë të dobët, për njëvlershmërinë e saj me qeverinë, vetëm për të ndjellë dëshpërim. Edi Ramën kam sulmuar si pushtetar, si kryetar bashkie për fenomene që jam i bindur se kanë qenë problematike, siç kanë qenë lejet e ndërtimit dhe një lloj rrjeti sekserësh që pushtonin ato. E kam vënë re se shumë opozitarë të sotëm janë të kompleksuar nga ideja që denoncimet e gazetës “TemA” godasin qeverinë dhe përpiqen të shprehin mbështetje, duke më kujtuar se edhe ata i kam kritikuar. I kam kritikuar, se kanë vjedhur. Dhe fakti që Berisha po vjedh më shumë, apo po sillet më keq, nuk i bën ata automatikisht të pastër. Nuk është Berisha kriteri i pastrimit të tyre. Berisha tashmë është standard ndotjeje, jo standard
pastërtie. Ata nuk janë pastruar, vetëm nga fakti se Berisha është bërë më pis se ata. Ata duhet të japin prova të besueshme se do ta ndryshojnë historinë e këtij vendi, para se shqiptarët t’i votojnë. Se mes dy njerëzve të bërë pis, vështirë e ke të zgjedhësh kush është më pak pis.
E njihni mirë PD, njerëzit e saj dhe funksionimin si parti në 18 vite. Gjatë kësaj kohe të gjatë, a ka pasur një moment, kur me veten tuaj i keni vënë gishtin një njeriu dhe keni thënë: Ky po, vlen si pasardhës i Berishës në PD?
PD s’mund të ketë pasardhës të Berishës. PD e Berishës vdes me Berishën, nuk ekziston më. I pari që do ta ringrejë atë parti pas Berishës nuk do të jetë njeri i Berishës, do të jetë dikush tjetër, një njeri që ka dhënë prova se e ka kundërshtuar atë. Do të ndodhë ajo që ndodhi te PS. Pas liderit historik Nano, atë parti nuk e mori një nanoist. Nuk ka ndodhur kurrë në botë që vendin e një lideri të fortë ta zërë një ithtar i tij. Partitë e liderëve ikin bashkë me liderët. PD e Berishës do të ikë bashkë me Berishën. Të tjerë do të jenë ata që do ta ringrenë dhe do t’i heqin ndryshkun që ai ka depërtuar në atë parti.
Nëse përfundimisht, Mero Baze shpallet “problematik për sigurinë kombëtare”, çfarë do të bëni me shtypshkronjën dhe gazetën?
Unë nuk kam ndonjë problem me shpronësimin për interesa publike apo për siguri kombëtare. Atë e parashikon Kushtetuta dhe unë e respektoj, edhe pse është shpikur qëllimisht për të më prishur punë. Ajo që unë nuk pranoj, është të shkelen vendimet e gjykatës dhe të rrethohem me policë duke nxjerrë gazetën rrugëve. Kjo do t’i kushtojë rëndë qeverisë dhe kryeministrit. Për arsye publike shpronësohen çdo ditë njerëz nëpër Shqipëri; ndërtohen autostrada apo vepra publike dhe njerëzit shpronësohen. Por nuk rrethohen me policë. Shkon ministria, negocion me ta, bien dakord për zhvendosjen, paguhen dëmet që shkaktohen nga ky interes publik dhe nuk ka asnjë konflikt. Berisha nuk sheh në atë territor asnjë rrezik kombëtar dhe asnjë interes publik. Ai shikon një njeri që e ka shpallur armik dhe kërkon ta shkatërrojë financiarisht, ushtarakisht, politikisht, në çdo gjë. Është një urrejtje e verbër që buron nga karakteri i një njeriu që ka frikë nga e vërteta dhe natyrisht nga historia e tij, e cila nuk është në dorë të tij dhe nuk mund të blihet prej tij, sado i pasur të bëhet.