Flamuri bën listën e Familjeve të Mëdha
Antena brenda familjes
Flamuri e nisi ditën me një detyrë tejet të vështirë.
Korrespondenti i “Antenës” e gjeti në zyrë me fjalimin e Bamir Topit për Familjet e Mëdha, të cilin e nënvizonte me laps.
- Edhe ti me Topin je bërë mixhë? - e pyeti korrespondenti.
- Jo mor burrë se s’bëhem kurrë me të, sa të jem gjallë, por më ka dhënë një detyrë ai burri, se mua m’i lë gjitha punët e vështira. Ka ngel vetëm, s’i del njeri zot më.
- Me se po merresh, se po lexoke fjalimin e Bamirit?
- Është mërzit ai burri nga ky fjalimi i Bamirit për Familjet e Mëdha dhe ka të drejtë. Se këta, o zotëri, mendojnë se Familjet e Mëdha ekzistojnë vetëm në Tiranë dhe në kohë të Skënderbeut. Nuk e dinë që Familjet e Mëdha janë ato që kanë mbijetuar. E tha mirë ai burri: “Fitimtarët e bëjnë historinë.” Ky burri i ka fituar gjithë betejat dhe ky presidenti nuk e përmendi te Familjet e Mëdha. Po gjej ca teza nga shkrimi, se duhet t’ia nis gazetës “Koha Jonë” dhe gazetës “55”, se i ka mësuar keq ai burri. Ua bëj unë çdo ditë shkrimin kryesor. Dhe m’i botojnë njësoj, me të njëjtat gabime. E pe atë shkrimin për Kreshnik Spahiun? Njësoj ma kishin botuar, të dy me të njëjtët tituj e fraza. Më ka gjet belaja. I ka mësuar keq shumë. Pa folur me mua s’e mbyllin gazetën.
- Po çfarë tezash do thuash për Familjet e Mëdha?
- Jo, s’do them teza, por e vërteta është e vërteta. Ne s’mund ta injorojmë atë. Kam vetëm dy pyetje. Pyetja e parë: A përbën krim ndaj historisë harresa ndaj fisit Berisha në veri dhe zhvillimit të kësaj familjeje në Tiranë? Dhe e dyta: A është dakord ky president që familjet më të rëndësishme në pushtet kanë ardhur nga Kosova (si rasti i gjyshes Lul Bashës,) por kanë kaluar të gjitha nga Vuthaj? Jo, këtë përgjigje e dua unë. Pa këtë s’ka kuptim ky fjalim.
- Të drejtë ke, - i thashë, - po ka kritere për ato që quhen Familje të Mëdha.
- E di mixhë. Duhet të kenë qenë të pasura dhe në pushtet. Ai burri vërtet s’ka qenë i pasur, po në pushtet ka qenë. Dhe këtë pikën e pasurisë që kishte mangët e ka realizuar dhe tejkaluar tani. S’kanë ç’i thonë.
- Të drejtë ke, - i tha korrespondenti ynë. – Madje, po e nise nga pasuria, filloje me familjen Berisha, lër tri vende bosh, pastaj vazhdo.
- Jo s’është ashtu, se duket që është Familje e Madhe. Ja, shiko vajzën. Burri e ka emrin Jamarbër. Pse e ka Jamarbër e s’e ka Jamboshnjak për shembull? E ka, se ka respektuar traditën tonë, historinë tonë, kulturën tonë. Ka ardh nga Bosnja përmes Vuthajt në Tiranë. Shiko djalin. Prapë brenda familjes. Familjet e Mëdha e kanë këtë traditë. I takon tërësisht dhe si pasuri, dhe si origjinë gjithçka. Ky president që dekoron kriminelët dhe harron Familjet e Mëdha t’i fusë në listë është turpi jonë. Këtë s’ia falim kurrë.
Shiko se ç’shkruan presidenti. Shiko se ç’turp i madh: “Ato i dhanë çdo gjë kombit dhe nuk pretenduan të merrnin nga ai.”
Kokë e këmbë i poshtër, provokator! Ka dash të thotë që ky burri vetëm i merr kombit dhe s’i jep asgjë. Mashtrues ordiner, faqja e zezë! Si mund të thuhet për këtë burrin që s’i ka dhënë asgjë kombit?! Po kush ua mësoi kapitalizmin shqiptarëve? Kush i ngriti piramidat? Kush i mësoi ç’do të thotë të humbësh paratë, fëmijët, familjen? ǒdo të thotë të vjedhësh votat dhe në fund të bëhesh i pasur? Ato librat kot si të bëhesh milioner nën shembullin e Donald Trampit janë kot fare para historisë së tij.
Pastaj, si mund të quash Skënderbeun burrë të madh dhe të harrosh atë burrin? Po a ishte pro-perëndimor Skënderbeu? A ëndërronte ta fuste Shqipërinë në NATO? Po kush e futi? Si u quajtkërka burrë i madh ai që ka ëndërruar dhe ky që e ka futur lihet jashtë? Pastë faqen e zezë, se këtë s’e bën njeri veç një renegati si ai!
Ne do bëjmë listën tonë, s’pyesim njeri. Kemi Familjet tona të Mëdha. Po e filloj me atë burrin, po lë dy familje bosh për fëmijët, po e vazhdoj të katërtën me Lul Bashën, të pestin Fatmir Mediun.... Këtu kam ngecur. Deri këtu e di kush ka më shumë pará. Këta të tjerët pastaj janë aty-aty, se të gjithë njësoj kanë bërë pará. Disa më shumë, disa më pak. Këta të parët janë të qartë.
- Unë them që po e nise nga pasuria, Fatmiri me Lulin duhen të këmbehen, se Fatmiri ka blerë dhe INSIG-un.
- E di, po ai burri s’ka kriter vetëm pasurinë, herë-herë do dhe besimin. S’beson shumë te Fatmiri.
- Po si do ta bësh publike këtë listë mixhë, se duhet ta thuash diku?
- Unë po e mbaroj dhe po ia nis gazetës “Koha Jonë” dhe “55”. E botojnë ato si klasifikim nga ndonjë institucion perëndimor dhe pastaj del Gert Bogdani dhe i kërkon Bamir Topit të kërkojë falje që s’ka futur këto familje në listat e Familjeve të Mëdha. Aty s’ka ku luan pastaj. Po nuk kërkoi falje, do t’i bëjmë thirrje Ina Ramës ta hetojë. Po nuk veproi as ajo, del që i ka lyer duart me gjak. E kemi të mirë skemën. Po prit sa të mbaroj listën, se s’dua t’u ngelet qejfi këtyre ministrave, se nuk e dinë që e bëj unë, mërziten me atë burrin. D.m.th., mërziten pse njërin e do më shumë se tjetrin.