E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen makinat, plagosen rëndë drejtuesit e tyre



Elbasan – Një aksident i ardhur nga përplasja e dy automjeteve, në rrugën kombëtare Elbasan-Peqin, shkaktoi plagosjen e të dy drejtuesve. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, pranë fshatit Paulesh të Rrethit të Peqinit. Policia tha se makina tip veturë, e markës “Benz”, me targa PE 22 35 A, që drejtohej nga 30-vjeçari Jani Tafa, është përplasur me mjetin tjetër po “Benz”, me targa të huaja MO918776, i drejtuar nga 22-vjeçari Fation Qefalia. Si pasojë e përplasjes, dy shoferët mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në Spitalin e Elbasanit. Burimet spitalore bënë të ditur se gjendja e të riut Qefalia është kritike për jetën dhe se po bëhen përpjekje për shpëtimin e tij. Ndërkohë, policia tha se aksidenti ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe mosrespektimit të distancës mes dy automjeteve.

Arrestohet biznesmeni i rremë, përfitoi 200 mijë euro

Tiranë - Arrestohet një biznesmen i rremë, i cili në sajë të mashtrimit kishte mundur të kontraktonte një tjetër firmë dhe t’i merrte asaj 200 mijë euro për t’u zhdukur më pas. Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Ardian Skënderi, lindur në Shkodër dhe banues në Elbasan, i proceduar më parë për vjedhje me anë të mashtrimit. “Me Vendimin e datës 30.12.2008, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest në burg’. Arrestimi i tij u krye pasi ndaj tij është deponuar një kallëzim nga firma “Enigma” ShPK, ku shtetasi i mësipërm dyshohet se ka mashtruar duke përvetësuar shumën e parave prej 200 mijë eurosh. Ndaj tij ka filluar procedimi penal për veprat penale të vjedhjes me anë të mashtrimit dhe të “falsifikimit të dokumenteve”.

Në pranga, “mjeshtri” i vjedhjeve të automjeteve në Laprakë

Tiranë - Specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve të Automjeteve kanë riarrestuar dje 18-vjeçarin Liridon Buci, banues në Tiranë, i dënuar disa herë më parë për vjedhje automjetesh dhe i dyshuar për një numër të gjerë vjedhjesh të këtij lloji në zonën e Laprakës. Ndalimi i tij u krye sepse Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhrin e ndalimit pasi dyshohet se shtetasi i sipërcituar më 24 korrik 2008, në Laprakë, ka vjedhur automjetin tip “Fiat Bravo”, me targa AG 607 AN, në pronësi të një shtetaseje, e cila ka kryer menjëherë denoncimin porsa ka konstatuar se automjeti i saj po “zhvendosej” me shpejtësi pak minuta pasi ajo e kishte parkuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes”.

Kapet 22-vjeçari në Rrugën e Elbasanit me 19 doza kokainë

Tiranë - Një kontroll i shpejtë dhe rutinë i policisë ka rezultuar shumë “frytdhënës”. Efektivët e patrullës “Shqiponja” kanë kontrolluar 22-vjeçarin Aedoment Kazazi, i cili mbante në xhepa diçka të paketuar në disa porcione të vogla. Kur është pyetur për llojin e lëndës që mbante në xhepa, Kazazi ka shfaqur shenja nervozizmi ndërsa dy efektivët e kanë shoqëruar në komisariat. Më vonë është konfirmuar se lënda e gjetur ishte kokainë e destinuar për shpërndarje në pabet e kryeqytetit. Atij iu gjetën në kushtet e flagrancës 15 gr kokainë, e cila ishte e ndarë në 19 doza. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 1 telefon celular si dhe automjeti me targa TR 3153 R. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme për konsumim të veprës penale të “Shitjes së lëndëve narkotike”.

Vdes në aksident adoleshenti, arrestohet shoferi i kamionit

Tiranë – Aksidenti automobilistik i ka marrë jetën një të riu teksa ai udhëtonte me motor në periferi të Tiranës, pranë lagjes “Babrru”, që është e populluar kryesisht nga të ardhurit. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se Albert Kanina, 18 vjeç, ka gjetur vdekjen pas përplasjes me një kamion. Autori i dyshuar i krimit është 27-vjeçari nga Fushë-Arrësi me banim në Kamzë, Vasil Prenga. Po sipas uniformave blu, aksidenti ka ndodhur dy ditë më parë kur i riu Prenga, duke drejtuar automjetin kamion tip “Benz”, me targa TR 5247 P, në segmentin rrugor Paskuqan - Babrru, është përplasur me mjetin çiklomotor me drejtues 18-vjeçarin Albert Kanina. Djaloshi ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe policia, kur mbërriti në vendin e ngjarjes, ka gjetur shkaktar të tragjedisë 27-vjeçarin Prenga. Ky i fundit u arrestua në flagrancë, nën akuzë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasoj vdekjen”.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›