E Diel, 1 Nëntor 2026

Del nga qelia administratori i inceneratorit të Elbasanit, SPAK po kryen hetime të thelluara

Leli Kaja kalon në arrest shtëpie, vendos Gjykata e Posaçme. Drejtori i ECO-ELB në Elbasan ishte arrestuar tri ditë më parë, ndërsa sot GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ndaj tij.

Sipas SPAK, Kaja dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë nga administratori i një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji në funksionin e administratorit të shoqërisë publike “ECO-ELB”. Shuma e parave iu gjet dhe iu sekuestrua gjatë kontrollit personal.

Arrestimi u krye më 5 tetor nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga SPAK më 1 tetor 2026.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ishte shtyrë një ditë më parë, për shkak të bojkotit të avokatëve. Në seancën e sotme u paraqit avokati i caktuar kryesisht, Lefter Xhengo, duke bërë të mundur vijimin e procesit. GJKKO nuk pranoi kërkesën e SPAK për “arrest në burg” dhe caktoi masën “arrest në shtëpi”.

Hetimet për aktivitetin e “ECO-ELB” lidhen edhe me marrëdhëniet administrative dhe financiare të kompanisë me bashkitë e qarkut Elbasan. Për këtë çështje, Prokuroria e Elbasanit kishte kryer më herët kontrolle dhe kishte marrë në pyetje dhjetëra persona. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›