Vetëvritet aksidentalisht në gjueti kreu i Shoqatës së Gjuetarëve
Shkodër-Është vetëplagosur aksidentalisht dhe ka humbur jetën ndërsa dërgohej drejt spitalit rajonal në Shkodër, kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve, Shpend Kruja 47 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zagorë të komunës Shkrel, në rrethin e Malësisë së Madhe. Shpend Kruja, kryetar i Shoqatës së Gjuetisë në Tiranë, ka shkuar në Zagorë të Malësisë së Madhe së bashku me dy miq të tij për të gjuajtur në një prej pyjeve të kësaj zone, ku ka mjaft thëllëza dhe frekuentohet për gjueti. Sipas policisë, ai ka rrëshqitur dhe arma që mbante ka bërë shkrepje duke e plagosur rëndë, ndërsa ka humbur jetën nga hemorragjia ndërsa transportohej për në spital. Dy miqtë e tij kanë qenë të parët që i kanë dhënë ndihmën dhe janë nisur me shpejtësi drejt Shkodrës për ta dërguar në spital. Por rrugës, pa mbërritur në spitalin e Shkodrës, 47-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe. Nga hetimet e para të bëra prej policisë, ka rezultuar se ngjarja ka qenë aksidentale dhe 47-vjeçari Kruja është vetëqëlluar me armë gjahu nga distancë e afërt. Mësohet se në dalje të fshatit Zagorë, në brendësi të pyllit që përdoret për gjueti, gjatë së dielës kanë qenë dy grupe gjuetarësh nga Tirana e Durrësi. Ata kanë qenë në drejtime duke lëvizur drejt njëri-tjetrit dhe hetuar gjahun. Viktima ka rrëshqitur pranë një peme duke u rrëzuar, ndërsa arma e gjahut ka ngecur te një shkurre. Ndërsa është përpjekur të ngrihej dhe arma kishte ngecur, këmbëza e saj është shkrehur nga një pjesë e shkurres duke e goditur në gjoks 47-vjeçarin. Kjo ka sjellë plagë të madhe dhe rrjedhje të shumtë gjaku që i ka marrë jetën rrugës drejt spitalit të Shkodrës. D.Kolaj