E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalori, Berisha përballë analistëve

Lutfi Dervishi:

Do të presim

ditë më të këqija

Ajo që mund të thuhet me siguri është se për të ardhmen e afërt nuk pritet ulje, por ngritje tensioni. Me thënien e fjalëve të fundit në fillim, nuk kemi epilogun, por prologun e një krize. Më 8 dhjetor mbushen 19 vjet nga viti i ndryshimeve të mëdha, por paradoksalisht në vend të përkujtimit të kësaj date, ne po shohim një rikthim në retorikën e vitit 1991. Opozita po shkon drejt ekstremizimit të veprimit politik, ndërsa me fjalimin e Kryeministrit mazhoranca ka shënuar kulmin e retorikës. Një retorikë që nuk e pamë as në fushatën e fundit zgjedhore. Efektet do t‘i shohim në ditët e ardhshme. Për javën në vijim janë paralajmëruar dy manifestime: një i opozitës dhe një i mazhorancës. Druaj se në sfondin e zhvillimeve të fundit qetësia që kanë humbur drejtuesit do të reflektohet edhe poshtë te militantët. Pra, para se të bëhet më mirë, do të presim ditë më të këqija. Çfarëdo që të ndodhë, një ditë do të vijë edhe zgjidhja. Është më mirë që palët të mendojnë për zgjidhjen dhe t‘i japin fund provës së forcës dhe lojës me nervat. Dy mitingjet e paralajmëruara do të jenë skena ku do të demonstrohet "forca". Por përtej demonstrimit duhet treguar kujdes, sepse jemi vetëm pak hapa larg situatës së çunit të lagjes që bërtet "më mbani se do t‘i bie". Dhe problemi është se mund të dëgjojmë thirrjen, "më mbani", por nuk do të ketë sehirxhinj për të mbajtur se... është problem që duhet ta zgjidhim vetë. Sa më shumë të vonojë zgjidhja, aq më e madhe do të jetë kostoja dhe fatura për liderët.

Fatos Baxhaku:

Reminishencat e

liderit të tipit lindor

Nuk është thjesht se kemi të bëjmë me një rikthim të fjalorit banal në politikën tonë. Nuk është pra se kemi të bëjmë me një fenomen që diku na paska shkuar dhe na qenka kthyer befas në jetën tonë të përditshme. Fyerjet, sharjet banale si prej "të fortësh", ofendimet, të cilat e bëjnë të skuqet atë që i dëgjon, por aspak atë që i thotë, kanë qenë prezent edhe nëse nuk janë shprehur publikisht. Ato kanë qenë prezent në shikimet e hakërryera, në mendjet inatçore, në qëndrimet armiqësore, në kokëfortësinë jo vetëm për të mos respektuar tjetrin dhe mendimin ndryshe, por edhe për të mos e marrë atë fare në konsideratë. Nga këto, politika jonë në përgjithësi ka vuajtur e po vuan dita me ditë. Në rastin konkret, pra në rastin kur do të nisim "shkuljen e dhëmbëve dhe dhëmballëve", problemi është edhe më i rëndë. Në radhë të parë kemi të bëjmë me një lider, i cili ndonëse na kujton përditë se sa afër e kemi Europën, me fraza të tilla na largon gjithnjë e më tepër prej saj. Është një provë e pakontestueshme se kemi një Kryeministër në mendjen e të cilit ende gjallojnë reminishenca shumë të forta të liderit të tipit lindor. Është tashmë e njohur se liderë të tillë kishin një personalitet të dyfishtë: nga njëra anë ata ishin, apo janë me sa duket ende, të durueshëm si mali në raste konkrete dhe të vrullshëm njësoj si një det në stuhi. Këtë vetinë e dytë e nxjerrin në pah sapo dikush ju kujton ndonjë "merak" të shkuar apo të ri, dhe sidomos familjen. Atëherë lenë mënjanë kollaret, tolerancën e shtirur dhe demagogjinë dhe shfaqin atë që janë në të vërtetë, portretin e frikshëm dhe të dhimbshëm prej dentisti shkulës. Një problem më vete është reagimi i opinionit publik ndaj këtyre frazave. Imagjinoni pak që ka pasur njerëz që janë kënaqur me këto fjalë dhe kanë thënë me besim të plotë: Sa i madh që është ky njeri! Të tillë nuk janë të paktë mes nesh. Sa kohë që këta do të vazhdojnë të fërkojnë barkun me kënaqësinë e thellë të të paditurit, darët që shkulin dhëmbë e dhëmballë do të vazhdojnë të jenë një mjet shumë ndjellës në politikën tonë.

Mimoza Dervishi:

Pushteti ka humbur

qetësinë e rreme

Jemi jo vetëm në një krizë politike, por dhe gati atmosferë tensionuese pragzgjedhore. Kriza u bë zyrtare me mitingun e opozitës që kapi në befasi mazhorancën, e cila sot e ka humbur toruan. Pas një sërë deklaratash nervoze pa kuptim që nga eksponentët më të lartë të Partisë Demokratike e deri tek ushtarët e vegjël ordinerë, Kryeministri i Shqipërisë shpërtheu të enjten në mbrëmje duke përdhosur sallën e Kuvendit, por dhe duke turpëruar çdo shqiptar të paktën mbi 18 vjeç. Pushteti dhe mazhoranca duken qartazi që kanë humbur qetësinë e rreme, të cilën mezi sa e paskan mbajtur nëpër dhëmbë që nga fillimi i jetës gjysmake parlamentare deri në 20 nëntor. Sigurisht që ky shpërthim banal ku përfshihen të vdekur e të gjallë, ku flitet për bijë komunistësh dhe mafie puniste, e sidomos ku shfaqet dobësia e Kryeministrit për homoseksualët, që dikur i shante të gjithë kundërshtarët komunistë ndërsa sot gay nuk tregon gjë tjetër veçse nervozizmin e tij deri në kufijtë e çmendurisë. Kjo gjithashtu tregon se bojkoti jo vetëm nuk paska qenë i dëmshëm për opozitën, por si në një lojë nervash se kush i mbyll sytë i pari, ka mposhtur dhe lodhur nervërisht atë vetë, mazhorancën. Strategjikisht opozita ka fituar dhe në fund të fundit ka ridimensionuar veten duke treguar se vendi ka nevojë për opozitën dhe se ajo sot ka një mbështetje masive tejet shqetësuese për pushtetin. Në fund të fundit, mitingu i 20 nëntorit ishte një test për opozitën dhe mazhorancën. Antimitingu që po përgatit Berisha, si një kundra-test, në kohën kur duhet të përgatiste Kongresin sado formal të partisë së tij, tregon se edhe mazhoranca tashmë ka dalë jashtë institucioneve dhe do t‘i duhet të ndjekë vallen e opozitës. Jemi absolutisht në krizë politike, madje të ngjashme me të gjitha krizat politike që Shqipëria ka kaluar gjatë 20 viteve të fundit, pavarësisht se në aparencë ashtu sikur çdo gjë ka ndryshuar, dhe kjo krizë ka një sfond tjetër. Por, thelbi është i njëjtë.

Martin Leka:

Është koha për të

reflektuar të gjithë

Mbase është koha fiks për të reflektuar të gjithë. Të gjithë, për të reflektuar mbi çfarë kemi bërë keq në këto vite të demonstrimit të lirisë, të lirisë sonë mbi gjithçka e mbi çdo gjë. Madje edhe të lirisë mbi ligjin. Pra, të lirisë së shfrenuar. Pjesë e kësaj lirie padyshim janë dhe politikanët, ashpërsia e gjuhës së të cilëve bën të na mbledhin sërish bashkë, kur kemi pasur e kemi plot arsye të ishim sërish kështu po për efekt të tyre, për efekt të lirisë së tyre e të mungesës së lirisë sonë për shkak të tyre. Në këtë kontekst e kam fjalën kur them se reflektimi dhe kthimi për pak kohë në "invers" është nevojë e të gjithëve. Domosdoshmëri për të parë se cilët kemi zgjedhur të na përfaqësojnë. Rasti i ashpërsimit të gjuhës nga Kryeministri sigurisht nuk ka pse bën askënd të duartrokasë. Ashtu siç është rasti të kuptohet e reflektohet nga politikanët e gjithëlloj ngjyrave dhe analistët e turlilloj ngjyrave, se për njerëzit publikë ka dhe duhet të ketë ca kode mbi të cilat nuk shkelet, ku privatësia dhe familja janë në krye të tyre.

Sigurisht është e lehtë të gjykosh e të japësh opinione mbi të tjerët. Më e vështirë është të menduarit. Këtë të fundit duhet të bëjmë të gjithë tani: të mendojmë më shumë mbi Kryeministrin, kryetarin e opozitës, Kryetarin e Parlamentit, deputetin, drejtorin, nëpunësin… Të mendojmë dhe të mësojmë fëmijët tanë se pse çuditen kur u themi se "gjuha vret"? T‘u mësojmë se pse "gjuha kocka s‘ka, por kocka thyen"?!... Gjuha e vrazhdë dhe e ashpër flet për ashpërsimin e klimës politike, por nuk jam i sigurt të them se edhe kjo "ngjarje" do të kalojë jehonën alla shqiptare të çudisë treditore… Sepse rastet shqiptare të politikës kanë treguar se sa shumë të ngjashëm janë "petku mbretëror i ditës dhe haremi lakuriq i natës" ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›