E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motrat Seferaj, koncert në Tiranë

Koncerti Pianistja dhe violinistja përballë publikut shqiptar

Ato janë dy motra. Të dyja instrumentiste. Njëra ka zgjedhur pianon e tjetra violinën. Tepër të përkushtuara dhe të angazhuara në profesionin e tyre, me një kujdes të madh ndaj muzikës janë paraqitur para publikut me një koncert në një nga sallat e hotel “Rogner” në Tiranë. Dje në mbrëmje, Alma dhe Nertila Seferaj kanë interpretuar duo pjesë për piano e violinë. Ato kanë sjellë për publikun pjesë nga Mozart, Johanes Brahms, C. Debussy, si dhe Pablo Sarasate. Rrugëtimi i tyre artistik është përshkuar nëpër të njëjtat udhë, duke ndjekur gjurmët e njëra-tjetrës. Të dyja motrat Seferaj, mësimet e para për piano e violinë i kanë marrë në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Pas kësaj ato kanë nisur studimet në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Motrat instrumentiste më pas kanë zgjedhur që studimet t’i vijojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ato kanë studiuar në universitetin “Johannes Gutenberg” në Mainz të Gjermanisë, ku edhe janë diplomuar. Violinistja Alma Seferaj, më e madhja prej motrave, ka dhënë ngaherë rezultate të shkëlqyera. Gjatë studimeve ajo ka fituar audicionin për Akademinë e Orkestrës së Aachenit në Gjermani. Ka fituar një kontratë pune të përhershme me orkestrën simfonike të Goettingenit po në Gjermani. Gjithashtu violinistja është edhe pjesëtare e orkestrës Filarmonike të Bonn-it. Po kaq e suksesshme ka qenë edhe pianistja Nertila Seferaj, talenti i së cilës ka spikatur qysh në moshë të vogël, duke u vlerësuar me çmime të para në konkurset për piano të EPTA-s dhe “Këngët e Tokës”. Prej janarit të vitit 2010 është caktuar pedagoge e pianos në Konservatorin e Mainzit në Gjermani, duke u konsideruar si pedagogia më e re në moshë e këtij konservatori. Nertila dhe Alma punojnë në fushën e muzikës së dhomës prej shumë vitesh.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›