E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni i PS-së, mbërrin në Nju Jork. Rama, takime me krerët e Internacionales Socialiste

Lobimi Dje në mbrëmje, kreu i PS me deputetët Dade dhe Balla kanë mbërritur në metropolin amerikan

është nisur dje delegacioni i Partisë Socialiste drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Këshillin e Internacionales Socialiste. Ky do të jetë një takim i nivelit të lartë dhe pritet një axhendë e ngjeshur me eksponentë të rëndësishëm socialistë nga e gjithë bota. Deputeti socialist, Taulant Balla, bëri me dije se delegacioni sapo ka mbërritur në Nju Jork dhe takimet do të fillojnë që prej ditës së sotme. Edi Rama, Arta Dade dhe Taulant Balla janë pjesë e delegacionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky aktivitet do të zhvillohet në ambientet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në faqen zyrtare të Internacionales Socialiste, ku ndodhet e plotë axhenda e këtij takimi, thuhet se takimi Këshilli i Internacionales Socialiste do të zgjasë dy ditë, pra më 21-22 qershor. Por, një ditë përpara fillimit të aktivitetit do të ketë një darkë pune midis pjesëmarrësve. Gjatë mbrëmjes së sotme, Edi Rama do të jetë në një darkë pune me drejtues të lartë të Partisë Socialiste nga e gjithë bota. Të majtët botërorë pritet të diskutojnë sërish mbi situatën politike në Shqipëri. Shqetësimet opozitare për transparencën e zgjedhjeve pritet të fitojnë një audiencë të re ndërkombëtare. Mbledhja e parashikuar e Këshillit të Internacionales Socialiste që do të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në datat 21-22 qershor do të ketë si pjesëmarrës të vet jo vetëm kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, por edhe kryetarë të tjerë të PS-së nga e gjithë bota.

Takimi i radhës i Këshillit të Internacionales Socialiste mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në fillim të javës, ku hapja do të zhvillohet në ora 10:00 deri në 21:00, dhe ditën e martë aktiviteti fillon në orën 13:00 dhe mbaron në 22:00. Në faqen zyrtare të Internacionales Socialiste thuhet se Këshilli do të fokusohet në çështjet kyçe dhe prioriteteve të lëvizjes së Internacionales Socialiste në lidhje me ekonominë globale, si dhe vazhdimin e debatit mbi ndryshimet klimatike, dhe zhvillimet e fundit në fushën e çarmatimit dhe ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore. Më tej, bëhet e ditur se, si zakonisht, anëtarët e zgjedhur të Kryesisë të Këshillit të Internacionales Socialiste, do të takohen në prag të aktivitet, të dielën më 20 qershor, për një darkë pune. Në këtë takim pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të shteteve të ndryshme në mbarë botën. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të zhvillojë gjithashtu edhe takime të veçanta me pjesëmarrës të Këshillit të Internacionales Socialiste.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›