Zhdukja e Bleonës, hetimet në vendnumëro
Ndërsa pritet ndonjë sinjal nga Kosova në lidhje me automjetin që dyshohet se ka qarkulluar në Zapod ditën e zhdukjes së vogëlushes, ende nuk ka të dhëna të reja në lidhje me këtë ngjarje. Pak nga pak u mbushën një muaj nga humbja e mistershme e 6-vjeçares nga Zapodi Bleona Mata dhe hetimet e deritanishme nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, më 22 maj, në afërsi të fshatit, ku vajza e vogël doli për herë të parë dhe të fundit, e joshur nga disa vajza të rritura në kullotën e bagëtive ku, siç u mësua më vonë, do të mblidhnin manaferra. Ishin të njëjtat vajza që njoftuan familjen për humbjen e Bleonës, duke pyetur fillimisht nëse kishte shkuar në shtëpi. Nisur pikërisht nga dyshimet që vajzat e rritura mund të kenë njoftuar shtëpinë e vogëlushes vetëm pasi kanë qenë të sigurta në “largimin” e 6-vjeçares, policia i ka marrë disa herë në pyetje, më pas edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, por deri tani prej tyre nuk është deklaruar asnjë e dhënë me vlerë për gjetjen e vajzës. Për gati tri javë policia me qindra efektivë bëri kërkime në bjeshkë, me dyshimin se mos e kishin përpirë kafshët e egra, një pistë që më pas rezultoi e gabuar. Ekspertët nuk kanë reshtur së hetuari në pistën e rrëmbimit, që deri tani mbetet edhe më kryesorja. Megjithatë, mungesa e rezultateve të hetimeve, edhe pse në çështjen “Bleona” janë sensibilizuar edhe struktura të larta të shtetit, përbën për familjen Mata një ankth të pafund. “E dimë që policia ka bërë kërkime te shumë vendqëndrime të mundshme, te disa miq e kështu me radhë, në Shqipëri e në Kosovë, madje edhe në Maqedoni, por ky fakt nuk mjafton që të ngushëllohemi”, tha gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, duke shtuar se familja ende shpresonte në forcën e shtetit dhe se ndoshta një ditë mund të gjendet e vërteta. Në fshatin Zapod shumë njerëz mendojnë se rasti i Bleonës “do të arkivohet” ashtu si plot raste të tjerë të ngjashëm që kanë ndodhur në Shqipëri. “Në fillim u duk se i gjithë shteti u ngrit në këmbë, por siç duket kërkuan në drejtim të gabuar dhe tani çdo ditë kërkimi bëhet më i vështirë”, arsyeton një këshilltar komune në Zapod. Nga ana e vet, Policia e Kukësit, siç pohoi një drejtues i lartë i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, po merret me plotësimin e dosjes së Bleonës në ndihmë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
#