E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Berisha nuk do të arrijë ta ndryshojë rregulloren e Kuvendit

Intervista ”Shpërthen” avokati: Kryeministri bashkëpunon me vende që janë armiq të NATO-s

“Berisha nuk do të arrijë ta ndryshojë rregulloren për të votuar hapur dekretet e Presidentit”. Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, aktualisht një nga politikanët e spikatur të opozitës shqiptare, deklaroi se situata do të precipitojë së shpejti në dëm të Kryeministrit. Në një intervistë për “Shqip”, avokat Ngjela thekson se Kryeministri kërkon të dobësojë pushtetin e Presidentit, duke krijuar një situatë dyshuese ndaj forcës kushtetuese dhe ligjore të kreut të shtetit...

çfarë po ndodh avokat, vendi duket se ndodhet në një krizë politike, ndërsa në të njëjtën kohë sikur ka edhe përplasje të pazakonshme në Parlament....

Sigurisht që në këto çaste ne ndodhemi në një krizë të rëndë, e cila është edhe politike dhe ekonomike, por edhe institucionale. Gjithçka sigurisht vjen për dy arsye: kemi të bëjmë me një qeveri të paaftë, që transmeton marrëzinë e një Kryeministri të paaftë dhe të papërgjegjshëm, por edhe me një qeveri të paligjshme gjithashtu. Në qeverisjen shqiptare janë mbledhur dy faktorë bllokues: paligjësia dhe paaftësia e një qeverie. Dhe kjo sigurisht që do të çonte edhe në një krizë institucionale, sepse opozita, e cila ka 64 deputetë, nuk e ka pranuar manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Brenda kësaj mos harroni edhe degradimin ekonomik që po e thellon edhe më tej varfërinë në Shqipëri. Kjo mund të përmblidhet e gjitha në këtë gjykim: sot në Shqipëri konstaton një pakënaqësi të paparë popullore, e cila, nëse kriza do të vijojë, mund të shpërthejë me një përshkallëzim të pandodhur deri më sot.

Parlamenti është duke diskutuar ligjin “për faljen”, i cili në pamje të parë duket qartë se ka si synim të vendosë kompetencat e Presidentit të Republikës. Cila është sipas jush prapavija që mazhoranca tenton të arrijë me këtë veprim?

Po, është një veprimtari permanente e Kryeministrit Sali për të marrë të gjithë shtetin. Ai sot ndihet i trembur, sepse ka disa veprime që e kanë kompromentuar në arenën ndërkombëtare perëndimore. Ka të dhëna se bashkëpunon me shtete që janë në armiqësi me NATO-n dhe veç kësaj, të gjitha institucionet perëndimore janë të bindur sot se ai i ka manipuluar zgjedhjet. Duke qenë në këtë situatë të kapur, Saliu po vepron me ngulm në rrafshin kombëtar për të shtënë në dorë të gjithë shtetin, që të kthehet në një tiran absolut dhe pastaj të vendosë për të ndërruar kahun e politikës së jashtme të Shqipërisë, nga Perëndimi në Lindje. Për ta bërë këtë, i duhet pushtet. Dhe ka kohë që kërkon ta dobësojë Presidentin dhe ta godasë atë. Në funksion të kësaj është edhe ligji për të cilin ju flisni, me anë të të cilit ai nuk e ka qëllimin te ligji, por te krijimi i një situate dyshuese kundrejt Presidentit Topi. Megjithatë, duhet theksuar se Kryeministri Sali është i humbur, sepse përpjekjet e tij janë dëshpërim patologjik dhe asgjë tjetër.

Kryeministri Berisha ka kërkuar të ketë një ndarje të propozimeve për emërimin e gjykatësve midis tri institucioneve, Presidentit, Parlamentit dhe Ekzekutivit. Cili është gjykimi juaj për këtë nismë?

Zotërinj, është ajo që ju thashë: një përpjekje permanente që Saliu e bën për të krijuar atë që ju theksova më lart: të krijojë në Shqipëri një tirani absolute në emër të vet dhe pastaj të shkëpusë Shqipërinë nga Perëndimi. Njëlloj siç bëri Enver Hoxha kur u shkëput nga Moska në vitet ’60. është e njëjta natyrë, prandaj janë edhe të njëjtat veprime. Marrja e gjykatave dhe dobësimi i Presidentit është domosdoshmëri për tiraninë “Berisha”. Por unë ua thashë edhe më lart, nuk e arrin dot. E para, se nuk do t’ia lejojnë shqiptarët dhe e dyta, sepse nuk ka më kohë. Ai nuk ka më jetë politike në Shqipëri, ka manipuluar dy herë zgjedhjet, në vitin 1996 dhe në vitin 2009. është e pamundur të ketë më jetë politike këtu. Shtojini kësaj edhe manovrat antiperëndimore dhe pastaj do ta kuptoni që kemi të bëjmë thjesht me një njeri potencialisht tiran, të paaftë për të kuptuar kohën ku jeton dhe të dëshpëruar nga ngacmimi paranojak që e karakterizon në ndërtimin e tij psikik. Do ta shihni se sa shpejt do të precipitojnë ngjarjet në Shqipëri.

Avokat, si e shikoni ju qëndrimin e mazhorancës për të votuar në mënyrë të hapur dekretet e Presidentit në Kuvend?

është një dëshirë e vjetër e këtij Kryeministri që ende e vuan. Kjo tregon se edhe grupin parlamentar nuk e ka të vetin, sepse të gjitha ato që ju thashë më lart për të, i di edhe grupi parlamentar. Sigurisht që aty ka njerëz të cilët nuk mund të shkojnë në humnerë me këmbët e veta. Por Saliu i do të trembur dhe do t’i trembë gjithmonë e më shumë. I gënjen në çdo çast duke i llomotitur se nuk është politika amerikane, por ambasadori Uidhers ai që nuk e do Saliun dhe më pas i tremb vijimisht, se i ka të kapur. Por votimit të fshehtë nuk ka çfarë t’i bëjë, sepse aty nuk ka efekt frika. Prandaj ai kërkon të ndryshojë rregulloren. Të shohim, do ta bëjë dot këtë gjë. Të presim edhe pak ditë. Unë them se nuk do ta bëjë dot. Janë përpjekjet e një tirani që është në hall se është i dobët, por me një psikikë të sëmurë që i jep nxitjen e lajthitur se do të arrijë suksesin në një luftë që ndërkohë është e humbur për të. Të shohim…

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›