E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Rumani Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Shqiptaro-Rumun në të cilin merrnin pjesë biznesmenë nga të dy vendet. Pas përshënd

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Rumani Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Shqiptaro-Rumun në të cilin merrnin pjesë biznesmenë nga të dy vendet. Pas përshëndetjes së Kryeministrit Rumun z. Nastase në këtë aktrivitet kryeministri i Shqipërisë zoti Fatos Nano mbajti këtë fjalim:.

I nderuar zoti President i Dhomës së Tregtisë
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj

Është kënaqësi për mua që në kuadrin e vizitës sime zyrtare në Rumaninë mike, ndodhem sot midis jush, përfaqësuesve të sipërmarrësve dhe biznesmenëve të të dy vendeve.

Me këtë rast do të dëshiroja të vija në dukje se vizita ime në Rumani është konfirmim i nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe shprehje e vullnetit për intensifikimin e vazhdueshëm të dialogut politik, për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, si dhe për marrjen e masave konkrete për forcimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.

Pikërisht përcaktimi i një kalendari shkëmbimesh politike për vitin 2004, shkëmbimi i eksperiencës në kuadër të integrimit në strukturat euroatlantike, evidentimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe marrja e masave të nevojshme për zgjerimin e bazës juridike që do të mundësojë progresin e vazhdueshëm të këtij bashkëpunimi, ishin temat kryesore të bisedimeve me homologun dhe mikun tim z. Nastase.

Duke shprehur kënaqësinë për organizimin e Forumit Ekonomik të të dy vendeve tona, më lejoni t'ju prezantoj shkurt përparësitë e Qeverisë Shqiptare për të përballuar atë presion pozitiv të aplikimit të standarteve europiane në jetën ekonomike, krahas asaj shoqërore- politike.

Heqja dorë nga ekonomia e centralizuar e viteve më parë, politikat dhe nismat tona synojnë tani në shndërrimin e vendit në një partner politik dhe ekonomik, duke i shërbyer kështu më mirë paqes, harmonisë dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të rajonit tonë. Duke filluar nga forcimi i stabilitetit politik, fuqizimi i shtetit ligjor, rritja e efikasitetit të administratës publike e në të njëtën kohë, me krijimin e një mjedisi të ri ekonomik nëpërmjet anëtarësismit të vendit tonë në OBT në shtator të vitit 2000, hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, pjesëmarrja në projekte prioritare si Korridori 8, Rrjeti Rajonal i Energjisë, krijimi i Tregut Rajonal për Turizmin, kanë të njëjtin emërues të përbashkët: integrimin europian dhe global të vendit.

Për ne është e qartë se ky integrim nuk mund të kuptohet dhe të realizohet pa një integrim rajonal. Dhe kur flasim për këtë integrim, duhet përmendur se pikë e ndjeshme e tij është bashkëopunimi midis vendeve tona.

Me një vështrim të shkurtër në vitet që kaluan, konkludohet se jemi ende larg mundësive reale që duhet të ofrojnë dy vendet tona si në importe dhe në eksporte. Midis këtyre të fundit disballanci është i ndjeshëm. Është e vërtetë që ka një përmirësim në vitet e fundit, krahasuar kjo me pesë dhe gjashtë vite më parë kur treguesit patën një ulje drastike në vlerat 0.12 milion eksportet tona dhe 3.3 milionë importet.

Sikurse jemi njohur tashmë, një pamje e tillë u reflektua për shkak të vështirësive me të cilat u ndesh vendi gjatë periudhës për të cilën po flasim. Më pas treguesit erdhën duke u përmirësuar, por gjithmonë në favor të importeve nga Rumania.

Aktualisht ka një sërë faktorësh që duhet të ndihmojnë këto zhvillime. Kështu, kuadri juridik, i krijuar sidomos gjatë këtij viti, i shprehur psh në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, etj. favorizojnë dhe i shërbejnë drejtpërdrejt rritjes së bashkëpunimit ekonomik midis vendeve tona. Ne i kemi përfunduar procedurat e nevojshme për këtë dhe sapo mësova që dhe pala rumune thuajse i ka përfunduar ato, që kjo Marrëveshje të fillojë të funksionojë në 1 janar 2001. Në këtë kuadër është gjithashtu edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy Dhomave të Tregtisë, e nënshkruar në Tiranë gjatë vizitës së Kryeministrit Nastase, si dhe Marrëveshja që sapo u nënshkrua në fushën e Doganave. Pra këto i japin një frymë të re bashkëpunimit në fushën ekonomike. Kontributi ynë për këtë duhet të jetë edhe më i madh, për të ndikuar kështu sëbashku në krijimin e një Tregu të Përbashkët Ballkanik, i cili do të bëhet edhe më atraktiv për investitorët perëndimorë, duke i shërbyer kështu objektivit të përbashkët integrues.

Më lejoni ndërkohë të ndalem në disa drejtime konkrete të zhvillimit të këtij bashkëpunimi ku dhe përvoja e mëparshme nuk na ka munguar:

-Industria e naftës dhe e gazit. Firmat rumune mund ta rrisin interesin në këtë fushë. Ditët e fundit ishte në Tiranë një delegacion i Kompanisë së njohur Rompetrol dhe u pa se hapësira me mundësitë reale për të investuar në këtë fushë është konkrete.
-Industria kimike dhe petrokimike
-Shkëmbimi i produkteve dhe makinerive në fushën e bujqësisë dhe të ndërtimeve. Dëshiroj t'ju kujtoj këtu se për fabrika të ndryshme, si ajo e xhamave, e tullave kemi përdorur teknologji rumune.
-Bashkëpunimi në fushën bankare mendoj se duhet të forcohet për të lehtësuar qarkullimin e kapitaleve. Në këtë vështrim, do të ishte tepër i dobishëm edhe krijimi i bankave të përbashkëta.
-Rivendosja e një linje direkte ajrore që do të lehtësonte qarkullimin e njerëzve të biznesit dhe gjithë të tjerët.
-Një bashkëpunim më efektiv kërkohet midis ndërrmarrjeve të vogla dhe të mesme të të dy vendeve. Marrëveshja e bashkëpunimit në këtë drejtim, që u nënshkrua në Bukuresht katër muaj lypset ta konkretizojmë në ditët e ardhshme.

Ju faleminderit

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›