KE: Shqipëria ka të drejtë vote në Asamble
Delegacioni i ri shqiptar në Këshillin e Evropës do të ketë të drejtën e votës dhe fjalën deri ditën e enjte, ditën kur Asambleja e KE-së do të mbajë një qëndrim për këtë çështje. Nëpërmjet një reagimi zyrtar të bërë në faqen e internetit, KE-ja ka dhënë një përgjigje pas ankimit të deputetit Aleksandër Biberaj. Sipas kësaj deklarate, është vendosur që Komiteti i Rregullores së Asamblenë së KE-së do të hartojë një raport për këtë çështje, i cili do të kalojë ditën e enjte në Asamble. Kjo e fundit do të japë një vendim përfundimtar për çështjen në fjalë. Delegacioni i ri shqiptar që ndodhet në KE, do të ketë të drejtën e votës dhe fjalës deri ditën e enjte, por në këtë ditë, sipas deklaratës, delegacioni i ri shqiptar mund të mos votojë për kredencialet e tyre. Pra, mund të vendoset që delegacioni shqiptar mund të mos ketë të drejtën e votës për raportin që do të përgatisë Komiteti i Rregullores në KE. “Komiteti i Rregullores së Asamblesë do të përgatisë një raport për këtë çështje dhe Asambleja do të japë një vendim përfundimtar të enjten paradite. Deri në këtë kohë, delegacioni i ri shqiptar do të mbajë vendet provizorisht në Asamble, me të drejtë vote dhe fjale, por mundet të mos votojë për kredencialet e tyre”, - thuhet në reagimin zyrtar të KE-së. Po në të njëjtin reagim zyrtar, citohet edhe kreu i grupit parlamentar ku bën pjesë deputeti Biberaj. “Letrat kredenciale të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës janë ndryshuar në një procedurë të shpejtë ditën e hapjes së sesionit në Strasburg. Bërjen e ndryshimit e komentoi Matias Eorsi (deputet hungarez) i cili drejton Grupin Parlamentar të Demokratëve Liberalë tha: “Ne kemi një arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është ndryshuar në një mënyrë e cila është në thyerje të zbatimit të rregullave””, - thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës. Ditën e enjte në mëngjes, Asambleja e KE-së do të ketë raportin e Komitetit të Rregullores, raport i cili do të ketë të shqyrtuar shkarkimin e zotit Biberaj. Deputeti Biberaj pretendon se është shkarkuar në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit shqiptar, ndërsa kryeparlamentarja Topalli pretendon të kundërtën.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të KE-së që ditën e djeshme ishte bërë ndryshimi i emrit të kreut të delegacionit shqiptar, pasi ishte zëvendësuar emri i Aleksandër Biberajt me atë të Ilir Rusmalit.
Delegacioni shqiptar votoi dje në Asamblenë e KE-së
Delegacioni i ri shqiptar në KE, i drejtuar nga Ilir Rusmali, ka marrë pjesë normalisht në hapjen e sesionit të ri parlamentar të Asamblesë së Këshillit të Evropës. Në fund të ditës së parë të mbledhjes së Asamblesë, delegacioni shqiptar votoi për çështjet e ditës. Dokumentacioni elektronik në Asamblesë e KE-së ka brenda tij edhe votat e anëtarëve nga Shqipëria, si Ilir Rusmali, Lajla Pernaska, Arenca Trashani dhe Kastriot Islami. Deputetët shqiptarë kanë marrë pjesë në hapjen e Asamblesë së KE-së, e bërë nga presidenti Luis Maria De Puik, në zgjedhjet për Presidentin dhe zv.presidentin e Asamblesë si dhe kanë votuar për progres-raporti e Byrosë së Asamblesë së KE-së. Njëkohësisht, ata kanë ndjekur fjalën e mbajtur nga Terri Devis, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.