Delegacionin çek vlerëson ngritjen e gjykatave administrative
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të delegacionit të Parlamentit çek, të kryesuar nga Marek Benda. Gjatë takimit ministri Alibeaj e njohu delegacionin çek me reformën në Drejtësi, si një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë. “Reforma në Drejtësisë i ka kapërcyer dy problemet e saj themelore; nevojën për reformim dhe ruajtjen e pavarësisë së Gjyqësorit, duke përmbushur kështu kriteret bazë të integrimit të vendit në BE”, - tha ministri Alibeaj.
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese të Parlamentit çek, Marek Benda, përgëzoi ministrin për hyrjen e Shqipërisë në NATO si një arritje e madhe, duke deklaruar se reforma në Gjyqësor duhet jo vetëm të ruajë pavarësinë e sistemit, por edhe të nxisë dhënien e vendimeve të shpjeta dhe të drejta. Gjatë takimit palët biseduan për reformën në Gjyqësor dhe mbarimin me sukses të pjesës së parë të saj me miratimin e një sërë ligjesh, në mes tyre dhe më i debatueshmi, ligjin për Prokurorinë. Më pas biseda u përqendrua në ligjin për gjykatat administrative, për të cilat Marek Benda u shpreh, se “me ngritjen e tyre plotësohet një nga kriteret për integrimin e Shqipërisë në BE”.
8 Prill 2009