E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta me studentët: “Integrimi në NATO, festë e shqiptarëve, jo e politikës”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një bashkëbisedim me të rinjtë e Universitetit Europian të Tiranës, i cili u ndal kryesisht në angazhimin e të rinjve në politikë, krijimin e më shumë hapësirave për punësimin e të rinjve dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Kreu i LSI-së, Meta, i ftoi të rinjtë të angazhohen në politikë dhe të marrin më shumë përgjegjësi. Në bashkëbisedimin e tij me të rinjtë e Universitetit Europian të Tiranës, lideri i LSI-së u ndal edhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Përsa i përket integrimit në NATO, Meta shprehu kënaqësinë për këtë ngjarje historike për Shqipërinë, por kritikoi faktin se për këtë anëtarësim që i përket të gjithë shqiptarëve, opozitës dhe maxhorancës, festimet ishin të ndara, pasi u bënë dy mitingje të ndryshme. Në këtë drejtim, kreu i LSI-së shprehu shqetësimin se çështja e integrimit është konsideruar dhe konsiderohet nga politika si një sfidë për të marrë merita, dhe jo si një detyrim që Shqipëria të arrijë standardet dhe që këtë ta ndiejë çdo familje shqiptare. “Kam një shqetësim të madh, që shpesh çështja e integrimit konsiderohet dhe është konsideruar nga politika si një sfidë për të bërë fotografi, për të bërë festa, për të marrë merita secili për vete dhe nuk është konceptuar si një detyrim, si një mundësi, si një sfidë, që Shqipëria të arrijë standarde më të larta dhe që çdo shqiptar këtë gjë ta ndiejë në familjen e tij, në tavolinën e tij, në xhepin e tij dhe në klimën shoqërore”, - tha Meta, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO, pasi kjo do të thotë me shumë liri, më shumë siguri, më pak rreziqe nga jashtë, më shumë besim për investitorët e huaj për të investuar në Shqipërisë. Megjithatë, kreu i LSI-së i kujtoi qeverisë shqiptare dhe kryeministrit se flamuri i Shqipërisë gjendet në listën e zezë përsa i përket transportit detar ndërkombëtar, së bashku me Bolivinë. Kjo ndodh për faktin se qeveria, me politikat e saj, nuk krijon kushte për zhvillimin e biznesit të transportit detar.
Sipas kreut të LSI-së, sot është e nevojshme që të ketë një rikonceptim të procesit të integrimit, në mënyrë që të fitohet sa më shumë nga ky proces, të shëndoshet ekonomia e vendit dhe ekonomia e çdo familjeje shqiptare. “Të krijojmë më shumë hapësira dhe perspektivë për të punuar, për të jetuar në vendin tonë dhe një klimë shumë optimiste e pozitive sesa deri tani për biznesin, pasi kjo është e rëndësishme në një vend ku sektori privat është dominues dhe partneriteti i shtetit e qeverisë me biznesin është i domosdoshëm. Në mënyrë që jo vetëm biznesi të jetë më optimist dhe i inkurajuar për të ndërmarrë iniciativa të suksesshme që çojnë para ekonominë e vendit, që rrisin punësimin e shqiptarëve, njëkohësisht që qytetarët të ndjehen gjithnjë e më të sigurt nga një qeveri që merr përgjegjësitë e saja”, - u shpreh kreu i LSI-së.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›