E Diel, 1 Nëntor 2026

Flasin për integrimin, por edhe për këngët ndaj Enver Hoxhës

 Zonja Bregu ishte në Komisionin e Integrimit ku ka dhënë sqarime për vlerësimin e progres raportit 2010 me fokus 12 rekomandimet. 

Ministrja e Integrimit tha se duhet të garantohet funksionimi i parlamentit nëpërmjet dialogut konstant mes shumicës dhe opozitës në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit. Bregu shprehu edhe një herë vullnetin e mazhorancës që për çdo iniciativë ligjore, ndryshim i cili afron ligjet shqiptare me standardet evropiane, apo procedurat parlamentare me standardet evropiane, do të jetë e hapur për të pranuar propozimet e opozitës.

Nga ana tjetër, opozita e quajti raportin e paraqitur nga ministrja e Integrimit të njëanshëm. Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, deputetja socialiste Ermelinda Meksi, paraqiti të gjitha vërejtjet në emër të opozitës. Meksi tha se ka një adresim jo të saktë të rekomandimeve, që, sipas saj, janë vështirësisht të matshme dhe do të ishte më mirë të paraqiteshin me sektorë.

 "Ky plan veprimi shfaq një punë rutinë të kryer për ta përshtatur planin kombëtar të zbatimit të MSA si aksion veprimi", tha Meksi, duke shtuar se në të mungon fatura financiare, apo treguesit e e suksesit, duke sjellë kështu një raportim të njëanshëm.

 Mbledhja e sotme e deputetëve nuk ka kaluar pa debate, ku deputeti socialist, Taulant Balla kërkoi dorëheqjen e ministres Bregu, ndërsa kjo e fundit i kujtoi atij këngën për Enver Hoxhën që e kishte kënduar në vegjëli. “Nëse doni ju personalisht të jepni kontribut për integrimin e konkretisht ne adresimin për rekomandimin për të luftuar krimin e organizuar bëni mirë të rishikoni pozicionin tuaj në postin drejtues te Ministrisë se Integrimit”.

“Në rast se ju zoti Balla e keni ndarë mendjen për të mos votuar dhe të na hidhni hi syve me prezencën tuaj dhe vetëm për të bllokuar procesin besoj se këtë taktikë shumë e kanë kuptuar. Pastaj përsa i përket pjesës tjetër, ti zotëri, i cile ke kënduar këngët e xhaxhit Enver kur xhaxhi Enver kishte vdekur nuk pret njeri që të bësh hajër e të japësh kontribut në procesin e integrimit. Deduksionet e tua për raportin e OSBE-ODIHR, ti e paske gjetur që paska qenë ministria në fjalë dhe pse se shkruan raporti, kam përshtypjen që kur flet shumë bën gabime shumë të mëdha, se nuk marrin lejen të gjithë dhe dorën tëndë, pavarësisht ndonjë njeri mund të ta varë për qëllime të tjera”, ka thënë Bregu.

Pas kësaj, ministrja ka lënë mbledhjen, ndërsa Balla i kujton “Nuk ke pse e prish mbledhjen, mund të vazhdosh të flasësh sërish”. Pas kësaj, Bregu u përgjigj: “kurse ti mund të vazhdosh të këndosh sërish për xhaxhin Enver”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-19 15:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›