E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2012, nxënësit do të testohen në 6 lëndë

19/09/2011  Ndryshon dhe procedura e korrigjimit: jo më manuale, por me program kompjuterik

Matura e vitit të ardhshëm do të pësojë një sërë ndryshimesh sa u takon testimeve që nxënësit do të japin për të marrë diplomën, e cila i lejon më pas ata që të vijojnë garën për pranimet në universitetet publike të vendit. Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se tashmë ka nisur puna për detajimin e rregullave të reja që do të ndiqen për brezin e maturantëve të ardhshëm. Sipas përcaktimeve të bëra deri më tani, konfirmohet se këta maturantë do të japin 6 provime të detyruara të maturës shtetërore, nga katër që kanë qenë deri më sot. Për gjimnazet e përgjithshme, qofshin këto të profilit shoqëror apo shkencor, provim i detyruar në sezonin e maturës do të jetë edhe lënda e anglishtes, si edhe një tjetër lëndë, e cila do të bëhet publike së shpejti. Ndërkohë që një tjetër risi e parashikuar për maturantët e 2012-s është edhe reformimi që do të pësojë procedura për korrigjimin e testeve që do të plotësohen nga nxënësit. Lidhur me këto ndryshime, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Petraq Papajorgji, ka deklaruar: “Matura vitin që vjen do të jetë e ndryshme në dy drejtime: së pari, do të shtohet numri i lëndëve të detyruara, pra numri i lëndëve që do të jepen provim do të jetë më i madh, dhe nga pikëpamja e teknologjisë që do të përdoret për të vlerësuar provimet e maturës vitin që vjen do të ketë ndryshime cilësore mjaft të mëdha. Tani po përfundojmë një projekt me një kompani austriake, që do të vendosë një sistem informacioni për të mbledhur të dhënat për nxënësit”. Sipas tij, edhe gjatë maturës që sapo lamë pas është bërë një punë e madhe nga institucionet përgjegjëse për të pasur një proces sa më transparent dhe të saktë vlerësimi. “Libri i transparencës është fare transparent, publik. Sasia e pikëve e marrë nga çdo nxënës është e llogaritur në mënyrë të saktë, shpërndarja e studentëve nëpër degë të ndryshme, duke u bazuar në preferencat e nxënësve, është një proces që bëhet për të gjithë njëlloj, ndërsa procesi i lëvizjes në rastet kur krijohen boshllëqe po ashtu është transparent. Është një sistem që ushqehet në mënyrë horizontale dhe vertikale, pra, vendet vakante mbushen në mënyrë automatike”. Megjithatë, gjatë muajve dhjetor-janar, do të bëhet publik manuali dhe guida e plotë e këshillave dhe procedurës që maturantët e ardhshëm do të duhet të ndjekin për të mos rrezikuar të drejtën studimore në fakultete publike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›